Dita e 12 e grevës, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve niset me urgjencë në spital
Në ditën e 12 të grevës së urisë dhe ditën e dytë të ngujimit, gjendja e naftëtarëve të Ballshit u rëndua.
Kreu i sindikatës, Sokol Dautaj u detyrua ti drejtohet spitalit të Ballshit për shkak të problemeve të theksuara me tensionit.
"Çfarë do lloj vendimi të ndërmarrin mjekët, unë do t'i kthehem grevës."
Pas trajtimit urgjent, mjekët e rekomanduan ta ndërpresë grevën.
"Ne i kemi sugjeruar që të mos e vazhdojë më grevën."
Por sindikalisti sfidoi gjendjen shëndetësore dhe u rikthye pranë kolegëve grevistë.
Kolegët naftëtarë që ishin mbledhur për ti mbështetur i informoi se çështja e tyre do të shkojë në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion.
"Unë kam firmosur që dosja e "ARMO-s" t'i kalojë SPAK-ut."
Ndërsa institucioneve të shtetit u bëri të qartë se këtë herë nuk do të tërhiqen nga lufta për dinjitet siç e cilësojnë tashmë çështjen e pagave dhe rinisjes së punës.
"Gjithë bota ka marrë vesh që naftëtarët kërkojnë pagat. Të mos vijë këtu një kompani për 3 muaj."
Dautaj u rikthye në grevë me duartrokitjet e kolegëve e familjarëve të cilët thanë se rruga e nisur nuk ka më kthim pas.
Naftëtarët e Ballshit kërkojnë pagat e prapambetura të fituara me vendim gjykate, dhe garanci shtetërore për firmën që do të rivërë në punë rafinerinë.
Kujtojme se:
Dje naftëtarët e Ballshit u kyçen brenda: Do ndalojmë ujin, dalim vetëm me barela