Ambasadori gjerman: Koha deri në zgjedhje e paktë, respektoni "5 qershorin" përmbushni kushtet e Bundestagut

Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian janë duke i dhënë dorën e fundit kornizës së negociatave me Shqipërinë, Gjermania, si vendi që mban kryesimin e radhës së bllokut, kërkoi nga institucionet përmbushjen e kushteve të vendosura nga Këshilli i BE-së.

Ishte ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, që me një mesazh në përvjetorin e 30 të bashkimit të Gjermanisë, u bëri thirrje palëve politike dhe institucioneve të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme.

"Kushtet, që Këshilli i BE-së i ka vënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj, u përgatitën vitin që shkoi nga Bundestag-u Gjerman dhe u pranuan njëzëri në vend si ‚Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave: Përmbushja e kushteve është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre. Ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi." thotë Zingraf në mesazhin e tij.

Një prej kushteve të vendosura nga Këshilli i BE-së është miratimi me konsensus i Kodit Zgjedhor.

Këtu ambasadori Zingraf konsideron me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme e të paqta më 25 prill 2021dhe nuk harron të bëjë thirrje për zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit.

 “"Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.
Hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende,” thotë Zingraf.

Përvjetorin e 30 të bashkimit të Gjermanisë e përshëndeti presidenti Ilir Meta.

Në një letër dërguar homologut Frank-Walter Steinmeier, Meta shprehu mirënjohjen e thellë për qasjen strategjike të Gjermanisë në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik të këtij viti të Këshillit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Edhe kreu i Kuvendi Gramoz Ruçi në një letër dërguar Presidentit të Bundestagut Wolfgang Schäuble, ndërsa uron për 30 vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, shpreh besim se negociatat e anëtarësimit do të çelen gjatë Presidencës gjermane.