Kim takon ministrin Lleshaj, e pyet për listat e votuesve pas denoncimit të skandalit të zhvendosjes së qytetarëve nga "BOOM"

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj me të cilin thotë se pati një diskutim shumë të mirë  për forsimin e bashkëpunimit me Shqipërisë dhe SHBA-së për sigurinë dhe zbatimin e ligjit.

Jashtë diskutimeve mes palëve nuk kanë mbetur edhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, të cilat janë vetëm 7 muaj larg.

"Diskutuan gjithashtu përgatitjet për zgjedhjet, përfshirë zbatimin e identifikimit biometrik siç është rënë dakord në marrëveshjen e 5 qershorit" thotë Ambasadorja.

Diplomatja amerikane thotë se Lleshaj e sqaroi në lidhje me regjistrimin e votuesve, pas skandalit të publikuar nga emisioni "Boom" në Rtv Ora për zhvendosjen e venbanimit të votuesve të opozitës pa dijeninë e tyre.

Lidhur me këtë, PD ka paralajmëruar padi.

Por Yuri Kim thotë se Lleshaj do të shterojë sqarimet e tij për këtë çështje në një emision televiziv mbrëmjen  e sotme.

Sqarimi, shton ajo, nuk do të mungojë as në faqen zyrtare të Minsitrisë së Brendshme për të siguruar transparencë dhe vetëdijësim publik ndaj keqinformimit.