Ohri, “stacion” për flamingot. Pamje përrallore në liqen, flasin ekspertët

Për herë të parë, një grup i madh flamingosh është vendosur në liqenin e Ohrit, ku individë të rrallë janë parë edhe më parë. Për specialistët, Pogradeci është kthyer në një stacion në rrugën e shpendëve shtegtarë drejt lagunave.

Kjo pamje e liqenit të Ohrit është e rrallë, por Flamingot aty nuk janë për herë të parë.

Individë janë parë përgjatë 3 viteve të fundit janë parë disa herë, por këtë vit janë më të shumtë dhe po qëndrojnë më gjatë në bregun e Tushemishtit.

Gani Bego: Flamingo është një shpend që nuk folenizon në Shqipëri por gjendet gjatë gjithë vitit në lagunën e Nartës dhe Karavastasë.

Liqeni i Pogradecit është një ndalesë në rrugën drejt lagunave të Karavastasë e Nartës.

Specialistët e lidhin fenomenin me temperaturat dhe rënien e nivelit të ujit në liqen, çka ka krijuar cekëtirën që preferohet nga këto shpendë.

Gani Bego: Flamingot kanë lënë vendet ku kanë folenizuar dhe tani zhvendosen drejt Nartës dhe Karavastasë dhe këtu është një pikë qëndrimi.Favorizohet edhe nga temperaturat e larta, tërheqja e ujërave të liqenit por flamingo pëlqen terrenet ligatinore, ujërat e cekëta ku kërkon ushqim.

Flamingo është një shpend shtegëtar.

Edhe pse për një kohë të shkurtër, flamingot i kanë dhënë bukuri liqenit të Ohrit, ndërsa çdo vit qindra prej tyre dimërojnë në lagunat e Karavastasë në Divjakë dhe Nartë të Vlorës.