Baret dhe restorantet hapin ambientet e brendshme, pronarët skeptikë
1 tetori shënoi hapjen e lokaleve dhe restoranteve me ambiente të brendshme, duke kërkuar prej tyre të zbatojnë të gjitha masat anti-Covid. Pronarët dhe menaxherët e tyre shprehen se ky vendim është i drejtë por disi i vonuar.
Prej datës 1 tetor të gjitha lokalet, restorantet, baret dhe pishinat në ambientet e mbyllura do të rinisin aktivitetin. Sigurisht duket respektuar të gjitha rregullat anti-Covid.
Dy nga rregullat anti-Covid që do të duhet të zbatojnë të gjitha këto biznese kanë të bëjnë me përdorimin e maskave nga stafi si dhe ruajtja e distancës mes tavolinave.
Me uljen e temperaturave, klientët e kanë më të vështirë për të qëndruar në ambiente të jashtme, ndaj drejtuesit e këtyre bizneseve shprehen se e kanë pritur mirë këtë vendim, megjithëse pak i vonuar.
"E kishim pritur më herët por shumë mirë".
Vendosja e distancës 1.5 deri në dy metër mes tavolinave bënë që të ketë një numër më të vogël tavolinash dhe për pasojë edhe më pak klientë.
"Zbatimi i tyre është domosdoshmëri, do të jetë pak e vështirë por deri tani e kemi përballuar shumë mirë. Do të ketë ndikim sepse do të ketë më pak lëvizje".
Por ndërkohë, vijon të mbetet në fuqi vendimi për moslejimin e aktivitetit për klubet e natës dhe biznese të tjera të këtij lloji.