Debati kaotik Trump-Biden/ Komisioni për Debatet Presidenciale ndryshon rregullat

Pas debatit të parë presidencial amerikan, ku kandidatët ndërprenë shpeshherë njëri-tjetrin, Komisioni amerikan për këtë debat ka njoftuar se do të ndryshojë disa prej rregullave.

Komisioni që merret me debatet presidenciale amrikane ka njoftuar se do të ndryshojë disa rregulla në debatin e dytë presidencial.

Ky debat midis presidentit Trump dhe kandidatit Joe Biden do të mbahet më 15 tetor në Majami.

Këto ndryshime në format, komisioni i argumenton për të shmangur përsëritjen e takimit të parë ku pati shumë ndërprerje.

Moderatori i debatit Chris Wallace u përpoq të mbante kontrollin për shkak të ndërprerjeve të shpeshta.

Spikeri i Fox Newsit Wallace përveç apelit që të mos e ndërprisnin njëri-tjetrin nuk kishte në dorë gjë tjetër pasi rregullat ishin të qarta.

Komisioni njoftoi se për të pasur një debat konstruktiv e të rregullt shihet si e domosdoshme që të bëhen disa ndryshime.

Një ndër mundësitë që po diskutohet është t'i jepet moderatorit e drejta për ti fikur mikrofonin njërit prej pjesëmarrësve në debat ndërsa kundërshtari i tij po flet.

Të dyja kampet, si republikanët e demokratët, thonë se ata presin të marrin pjesë në debatet e ardhshme.

Ndërkohë, Komisioni thotë se do t’i njoftojë ndryshimet e tij së shpejti.