BE samit për Mesdheun dhe Bjellorusinë
Në Bruksel mbahet sot një samit i jashtëzakonshëm për t'i dhënë zgjidhje me diplomaci problematikave që shqetësojnë udhëheqjen e Bashkimit Europian.
Në ftesën e tij, presidenti Sharl Mishel i Këshillit Europian ka njoftuar 27 liderët e unionit se bisedimet do të fokusohen te çështja e tensioneve në Mesdheun Lindor, zgjedhjet në Bjellorusi, raportet me Kinën, helmimi i kryeopozitarit rus, Aleksei Navalni, dhe së fundmi edhe përshkallëzimi luftarak i situatës mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në rajonin e Karabakut.
Tensionet Turqi-Greqi-Qipro në Mesdhe, vendet anëtare do të synojnë t'i adresojnë me konstruktivizëm, porse ministrat europianë kanë rënë dakord më parë për mundësinë e sanksioneve nëse Ankaraja vijon provokimet me pretekstin e territoreve sovrane detare.
Kancelarja Angela Merkel, të mërkurën tha se duhet pasur kujdes me qasjet ndaj Turqisë.
"Marrëdhënia jonë me Turqinë është shumështresore. Nga njëra anë e kritikojmë situatën atje kur vjen puna për të drejtat e njeriut dhe tensionet serioze me Greqinë dhe Qipros. Por të pranojmë edhe kontributin e jashtëzakonshëm turk për sa i përket strehimit të refugjatëve, që me 4 mln ndoshta ka më shumë se çdo vend tjetër në botë. Pra t'i peshojmë drejt gjërat"
Konkluzionet e liderëve të BE-së për Turqinë pritet të paraqiten të premten.
Ndërkohë, unanimitet do kërkojë edhe çështja e Bjellorusisë, ku zhvillohen përditë protesta kundër presidentit të vendit, Aleksandër Lukashenko.
Deri tani Qiproja mësohet se po e mban peng kërkesën për sanksioneve ndaj dhjetëra zyrtarëve të akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve të fundit presidenciale, duke vënë si kusht që çdo penalitet të shoqërohet edhe me masa ndëshkimore ndaj Ankarasë për tensionet në Mesdhe.
Britania e Madhe dhe Kanadaja janë dy nga fuqitë e mëdha perëndimore që u kanë bllokuar asetet financiare dhe u kanë ndaluar udhëtimet presidentit Lukashenko, djalit të tij dhe disa zyrtarëve të tjerë për zgjedhjet dhe dhunën ndaj protestuesve, ndërkohë SHBA-ja raportohet se po pret përfundimin e samitit europian për të aplikuar masat e veta ndëshkimore.