Defekti, mbyllet bursa japoneze
Bursa e Tokios pezulloi të enjten aktivitetin pas një defekti në pajisjet kompjuterike.
Në institucionin financiar japonez ku qarkullojnë asete me vlerë rreth 6 trilionë dollarë, drejtuesit thanë se zëvendësimi i infrastrukturës kërkoi anulimin e veprimtarive tregtare për gjithë ditën.
Defekti preku edhe bursat e tjera të vogla që operojnë në vend, dhe nxiti qeverinë japoneze të kërkojë hetim për shkaqet nga drejtuesit e institucionit.
Paraprakisht është përjashtuar mundësia e ndonjë sulmi kibernetik nga piratët e internetit.
Probleme të ngjashme teknike në vitet 2005, 2010 mundën të zgjidheshin brenda pak orëve.
Defekti ndodh në ditën kur në vend u publikua sondazhi i bankës qendrore për perceptimet e ndërmarrjeve të mëdha vendëse, që tregoi se besimi i tyre te ekonomia përmirësuar pas goditjes nga pandemia, edhe pse është më i ulët sesa në nivelet para krizës epidemike.
Bursa e Tokios është e treta më e madhja në botë për nga qarkullimi i aseteve, pas atyre të Nju-Jorkut dhe Nazdakut amerikan.
Këto të fundit një ditë më parë e mbyllën muajin pozitivisht pasi u mësua se liderët e partive politike në SHBA po avancojnë drejt miratimit të një pakete të re financiare.
Me ligjin që shpresohet të miratohet para zgjedhjeve të 3 nëntorit, demokratët propozojnë 2,2 trilionë dollarë mbështetje për ata që kanë mbetur pa punë nga pandemia, për bizneset, për testimet kundër kovidit-19, për arsimin dhe për kompanitë ajrore.
Ndër të tjera çdo person do përfitojë asistencë deri 1,200 dollarë sipas kushteve të caktuara, propozime këto që ishin kontestuar nga politikanët republikanë në muajin gusht.
Edhe parashikimet për papunësinë dhe për pasuritë e puluajtshme në Amerikë u përmirësuan gjatë ditës.
Të mërkurën, indeksi i Dau-Xhonsit u rrit me 1,2 për qind, gati 1 për qind përfitoi Standard & Poor's 500 dhe rreth 0,7 më lart u vlerësua bursa e Nazdakut.