Skandali me adresat i zbuluar nga BOOM, PD: Kallëzim penal zyrtarëve në skemë
Denoncimi në emisionin “BOOM” në Rtv Ora, për shpërngulje të vendbanimeve të qytetarëve pa i njoftuar ka sjellë një përplasje mes Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Brendshme. Partia Demokratike thotë se qeveria po manipulon listat e zgjedhësve duke ju ndërruar vendvotimet. Por Ministri Lleshaj, tha se ndryshimet kanë ndodhur për shkak të censusit dhe nuk ndikon në listat e zgjedhësve.
Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora, denoncoi dhe solli dëshmi konkrete se si qytetarëve të ndryshëm, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në kundërshtim me ligjin ju ka ndryshuar vendbanimet.
Për këtë çështje reagoi ashpër Partia Demokratike, ku ish-deputeti, Enkelejd Alibeaj, tha se afrimi i datës së zgjedhjeve ka shtuar përpjekjet e dëshpëruara të Edi Ramës për të manipuluar vullnetin e qytetarëve.
Ai paralajmëroi padi penale për ministrin Sandër Lleshaj dhe zyrtarë të tjerë.
Alibeaj: Po ndryshon në mënyrë të njënashme rregullat e garës elektorale, duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Shpërndau formularët tek administrata për t’u marrë kujt të mundet kartat e identitetit. Po manipulon listat e votuesve, duke zhvendosur qytetarët në mënyrë arbitrate, pa kërkesën e tyre. Po merr në punë mijëra perosna me kontratë të përkohshme. Po kërkon ndihmën e bandave dhe trafikantëve të drogës.
Për akuzat reagoi në rrjetet sociale ministri Lleshaj, i cili thotë se ndryshimet nuk kanë qëllim manipulimin e listave por kanë ndodhur për shkak të censusit.
Në përgjigje të opozitës, ai tha se akuzat janë alibi për humbjen, ndërsa sipas tij qendrat e votimit nuk kanë ndryshuar.
Lleshaj: Nëse doni të ndërtoni ndonjë alibi për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, mendohuni për diçka tjetër. Kjo e qendrave të votimit është thjesht një blof i dobët.
Replikat nuk u mbyllën, këtu. Enkelejd Alibeaj publikoi nenin 46 të kodit zgjedhor, ndërsa shkruan se injoranca nuk është alibi për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor.
Neni 46 thotë se listat e zgjedhësve dhe qendrat e votimit hartohen dhe përcaktohen në bazë të vendbanimit.

Për më tepër lexoni: Thellohet skandali i zhvendosjeve, “BOOM”: Njësia 4 në Tiranë ‘ndan’ çiftin, burri shkon në Korçë dhe gruaja te Njësia 7