Trump vs Biden: Sonte debati presidencial, nga ekonomia te integriteti i zgjedhjeve

Do të zhvillohet mbrëmjen e sotme debati i parë presidencial amerikan midis Donald Trumpit dhe kandidatit demokrat Joe Biden. Gjykata e Lartë, pandemia e koronavirusit, ekonomia, problemet racore, dhuna në qytete dhe integriteti i zgjedhjeve janë ndër temat kryesore që do të preken në 90 minuta.

Presidenti amerikan Donald Trump do të përballet këtë të martë në një debat publik me kandidatin Joe Biden.

Gjykata e Lartë, pandemia e koronavirusit, ekonomia, problemet racore, dhuna në qytete dhe integriteti i zgjedhjeve janë ndër temat kryesore që do të preken në 90 minuta.

Ka mbetur edhe rreth një muaj deri në presidencialet amerikane më 3 nëntor, dhe kandidati democrat vijon të ketë pak epërsi në sondazhe me presidentin aktual Trump.

Nga Cleveland, në Universitetin Case Western Reserve të Ohios, qytetarët anekënd botës do të ndjekin në kohë reale këtë debat. Dueli presidencial në media do të drejtohet nga Chris Wallace i Fox News,  dhe si gjithnjë do të transmetohet pa ndërprerje komerciale në çdo rrjet të madh televiziv amerikan.

Nuk ka të dhëna nëse debati presidencial vendos për çështjet zgjedhore në masë, ku njerëzit ndryshojnë opinion, por shikueshmëria e tij është e madhe.

Ndër më të shikuarit, që theu edhe rekordin që qe më herët midis Reganit dhe Karterit, është debati i zhvilluar midis Donald Trumpit dhe Hillary Clintonit.

Mediet amerikane shkruajnë se ky debat u ndoq nga 84 milion shikues.

Ky është debati i parë presidencial, që do të ndiqet më pas në radhë nga debati midis zv. Presidentëve dhe sërish një debat i dytë dhe i tretë presidencial. 

Debati vjen ndërsa Trump vazhdon të këmbëngulë që Biden të japë pëlqimin për të bërë një test droge.