Ballkani, drejt progresit ekonomik

Zonja dhe zotërinj,Më lejoni së pari t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve sot në qytetin e Tiranës, në këtë takim të rëndësishëm të sesionit të pranverës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Arsyeja që ne jemi mbledhur këtu për këtë ngjarje është për të forcuar më tej paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për të rritur bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik në nivel rajonal dhe më gjerë. Bashkëpunimi ekonomik ka qenë gjithmonë çelësi i Aleancës së Atlantikut dhe siguria ekonomike ka qenë prioritet për aleatët e NATO-s dhe partnerët globalë. Përçarje të mundshme të lëvizjes së lirë të burimeve ekonomike, përkatësisht njerëzve, mallrave dhe të kapitalit, mund të paraqesin sfida për sigurinë e vetë Aleancës. Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, ka nderin për të pritur Asamblenë Parlamentare të NATO-s sot. Dhe ne ndihemi krenarë, se si Shqipëria, dikur vendi më i izoluar në Evropë, tani kontribuon ndjeshëm në sigurinë rajonale dhe stabilitetin demokratik. Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal shkon përtej shprehjes së vullnetit politik dhe fqinjësisë së mirë. Ai merr kuptim nëpërmjet krijimit të infrastrukturave të përbashkëta rajonale, heqjes së barrierave për lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit, rritjen e shkëmbimeve multilaterale ekonomike dhe kulturore, si dhe angazhimin e përbashkët për shndërrimin e rajonit në një treg tërheqës dhe konkurrues. Në këtë kontekst, ne mbështesim plotësisht përpjekjet e vendeve fqinje në procesin e integrimit euroatlantik dhe mirëpresim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.Zonja dhe zotërinj,Unë dua të ndaj me ju përvojën e Shqipërisë, sidomos se si anëtarësimi në NATO, si qëllimi ynë strategjik, na mundësoi të mbrojmë interesat kombëtare dhe të sigurisë, të krijojmë një mjedis të favorshëm ekonomik dhe të kontribuojmë në integrimin rajonal dhe euro-atlantik. Shqipëria po kalon një transformim të rëndësishëm ekonomik. Rritja ekonomike, që dikur vinte nga remitancat dhe mbështetej nga rritja e sektorit të ndërtimit, po zhvendoset duke pasur shtysë kryesore investimet dhe eksportet. Sikurse thekson Programi i Reformave Ekonomike 2016-2018 të Shqipërisë, qeveria shqiptare po ndërmerr iniciativa për të bërë të mundur këtë transformim dhe për të ngritur potencialin e rritjes dhe konkurrencën, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik. Sipas botimit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore (SEE RER) 2015, Shqipëria rezulton të ketë pasur rritjen ekonomike më të lartë sesa mesatarja e rajonit. Sipas raportit, vlerësohet shumë e rëndësishme puna e qeverisë në disa reforma kryesore.Reforma makroekonomike.Iniciativa e rregullimit, vetëm në paketën e re fiskale parashikon 52 pika të reja, të cilat lehtësojnë biznesin në terma proceduralë dhe fiskalë. Falë implementimit të reformës makroekonomike dhe stabilitetit fiskal, Shqipëria nuk është më pjesë e hartës së riskut makroekonomik. Deficiti i përgjithshëm në 2015-ën rezultoi të ishte 4,9 për qind e GDP-së, nga 5,8 për qind që ishte në 2014-ën. Nga ana tjetër, Shqipëria arriti të shlyente një borxh të prapambetur prej 720 milionë dollarësh për të zhbllokuar kompanitë dhe për të rifilluar ngritjen e mundimshme, nga një situatë ku rritja ekonomike lëkundej midis 0 dhe 1.Reforma në energjiReforma në energji ka qenë një ndër hapat më të suksesshëm të Qeverisë shqiptare, duke i dhënë fund njollës së errët në financat publike. Masat ristrukturuese të ndërmarra iu dedikuan mbrojtjes së konsumatorit dhe mirëfunksionimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në sistemin elektro-energjetik. Nëse në vitin 2012, kompania e shpërndarjes e mbylli me 320 milionë dollarë humbje, vitin 2015 kompania e mbylli me një fitim prej 70 milionë dollarësh. Mesatarisht 150 milionë dollarë çdo vit shkonin për të shlyer vjedhjen dhe për ta mbajtur sistemin në këmbë, ndërsa sot jemi në momentin kur jo vetëm nuk paguajmë 150 milionë dollarë si taksë për hajdutët, por investojmë 150 milionë dollarë.Reforma e pensioneveKjo reformë garanton një sistem të shëndetshëm pensionesh, transparencë në deklarimin e kontributeve ashtu sikundër ofron edhe skema të qarta favorizuese për personat, të cilët nuk kanë mjaftueshëm kontribute. Gjatë kësaj reforme u rritën të ardhurat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore me 14 për qind, u shtuan në skemë 167,000 punonjës dhe qeveria uli shpenzimet për skemën me 6 për qind. Për herë të parë 1000 persona përfituan pensioni social.Reforma Territoriale-AdministrativeNëpërmjet ndarjes së re territoriale, kjo reformë i jep pushtetit vendor mundësinë për menaxhim më të mirë territorial dhe zhvillim të projekteve të integruara, duke sjellë kështu edhe një zhvillim cilësor të të gjithë territorit të vendit. Numri i njësive vendore u ul nga 374 në 61. Në sajë të përpjekjeve tona të vazhdueshme për të reformuar sistemin e taksave, për të reduktuar borxhin publik, për të kapërcyer sfidat e energjisë dhe për të zbatuar reformat strukturore, gjendja ekonomike është stabilizuar dhe Shqipëria e ka lënë krizën globale prapa. Unë personalisht jam ndjerë e lehtësuar kur kam dëgjuar se FMN-ja dhe Banka Botërore ndajnë të njëjtin mendim. GDP-ja reale u rrit me 2.7% në 2015-ën dhe pritet të rritet me 3.4% në vitin 2016. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur nga trendi pozitiv i konsumit dhe investimeve private. Në pesë vitet e fundit, Shqipëria shfaqet në mesin e vendeve të rajonit me fluksin më të lartë të investimeve të huaja. Fluksi FDI për vitin 2015 është vlerësuar në 884 Mil. EUR, duke rritur nga 869 Mil në 2014 (8.7% e PBB-së). Ky fluks përqendrohet në industrinë nxjerrëse (39%), të energjisë (35%) dhe ndërmjetësimit financiar (10%). Gjatë katër muajve të parë të vitit 2016, 499 biznese të reja të huaja janë regjistruar në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit). Për t’ju dhënë një ide, numri i përgjithshëm i bizneseve të këtij lloji të regjistruara në vitin 2015 ishte pak më shumë se 1000. Pothuajse gjysma e këtij numri është arritur në tremujorin e parë të vitit 2016. Ky është një lajm shumë premtues. Që nga tetori i vitit 2013, kur qeveria aktuale mori detyrën, janë krijuar 173 mijë vende të reja pune. Por, pavarësisht papunësia mbetet një sfidë për rritjen ekonomike, edhe pse niveli i papunësisë në vend mbetet më i ulët se mesatarja e rajonit. Ndërsa sot, në përpjekjet për të çuar më tej rritjen ekonomike, theksi do të vihet në përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve. Përmirësimi i klimës së investimeve është pa asnjë dyshim një nga aksionet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin. Siç kryeministri Edi Rama adresoi në Dialogun e Nivelit të Lartë Politik mbi Klimën e Biznesit dhe thithjen e Investimeve të mbajtur më 24 maj në Tiranë: “Qeveria shqiptare ofron mbështetje të plotë për investitorët e huaj dhe garanton stabilitet të plotë ekonomik dhe politik. Duke shkuar përpara, ne do të përqendrohemi në reduktimin e burokracisë për investimet dhe reformimin e sistemit gjyqësor”. Ndërsa Ballkani Perëndimor i parë në tërësinë e vet, gjatë vitit 2015 shënoi një rritje ekonomike prej 2.1 për qind. Kjo rritje është dukshëm më e lartë se rritja prej 0.3 për qind në vitin 2014, kur rajoni u ndikua rëndë nga përmbytjet. Të gjashta vendet në rajon gjatë vitit 2016 kanë parashikuar të kenë rritjen reale të GDP me 3.6 – 3.7 për qind. Rritja më e lartë në vitin 2015 krijoi vende të reja pune në sektorin privat. Këto vende pune dhe inflacioni i ulët rritën të ardhurat e familjes dhe reduktuan varfërinë. Në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, norma mesatare e vlerësuar e varfërisë ka rënë me 2 për qind përgjatë periudhës 2013 dhe 2015, që do të thotë se rreth 140.000 njerëz në ato katër vende i kanë ikur varfërisë, informon Banka Botërore. Por edhe për rajonin, pavarësisht nga këto arritje, sfida qëndron te ulja e papunësisë. Kjo e fundit për rajonin e Ballkanit Perëndimor është mesatarisht 21.5 për qind.“Është inkurajuese të shohësh shenjat e para të një zhvendosjeje të shtyrë drejt investimeve dhe rritjes së eksportit për 6 vendet e EJL”, thotë Ellen Goldstein, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore. “Ky ribalancim duhet të bëhet i qëndrueshëm në periudhën afatgjatë, duke synuar thellimin e reformave ekonomike dhe kthimin e produktivitetit që pësoi rënie nga kriza globale”. Përmirësimi i produktivitetit mbetet faktor i rëndësishëm për nxitjen e rritjes në rajon. Për rajonin, rritja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm duke u fokusuar në një axhendë reformash afatgjata. Në mënyrë të veçantë, duke eliminuar pengesat; sidomos pengesat për punësimin formal, përmirësimin e klimës së biznesit dhe qeverisjes, dhe duke e shoqëruar këtë me përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve për qytetarët, thellimin e tregtisë dhe integrimit financiar, dhe duke siguruar një përdorim të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Por edhe pse ky rajon ka një klimë të mirë të nxitjes së investimeve, sërish nuk mund të mbesë jashtë kërcënimeve që vijnë nga rimëkëmbja e ngadaltë në Evropë dhe në mbarë globin, paqëndrueshmëria e lartë në tregjet financiare dhe luhatjet në çmimet e naftës. Ndaj zbatimi i qëndrueshëm i reformave ekonomike do të ndihmojë për të zbutur këto rreziqe. Shqipëria duhet të konsiderojë se reforma në drejtësi është një nga ato gurët e themelit, që do ta përmirësojë shumë jetën e qytetarëve dhe të bizneseve, duke i shpëtuar nga kalvari i kohëzgjatjes në shqyrtimin e ankesave të tyre. 90 për qind e popullatës ka nevojë për të vendosur një sistem gjyqësor të pranueshëm dhe të operueshëm në Shqipëri, e ndjekur nga një opinion prej 70 për qind i biznesit. Ndaj do të thotë që duhet ta përqafojmë të gjithë me shumë përkushtim dhe me entuziazëm, si dhe me përgjegjësi faktin që reforma në drejtësi është një nga elementët më të rëndësishëm për të lejuar që progres të marrë jetë sot Shqipëria.Zonja dhe zotërinj,Integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të ketë sukses pa bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të vetë rajonit. Konferenca e Berlinit dhe iniciativat e tjera rajonale si Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), kanë nxitur bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona, duke lehtësuar ndërlidhjen në fusha të ndryshme, si psh., infrastruktura, energjia, turizmi dhe përmirësimi i klimës së biznesit. Në këtë drejtim, Shqipëria dëshiron të bëjë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë të rajonit në sektorë të tillë si transporti, energjia, tregtia dhe ekonomia dixhitale. Gjatë viteve të ardhshme, ne kemi nevojë të përmirësojmë korridoret kryesore të transportit e t’i kthejmë ato në korridore ekonomikisht aktive, shoqërisht bashkëpunues dhe ambientalisht të qëndrueshme. Kemi nevojë që të përmirësojmë edhe ndërveprimin e shërbimeve të TIK në të gjithë rajonin. Përveç ndërtimit të infrastrukturës aktuale, theksi duhet të vihet në reformat për të hequr pengesat e administrative të kësaj lidhjeje. Qeveritë e vendeve të rajonit duhet të punojnë, veç kësaj, edhe për zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë këtyre korridoreve, duke synuar integrimin e clusterave rajonalë, zhvillimin e logjistikës dhe shërbimet e nevojshme, si dhe lehtësimin e thithjes së FDI-ve.Në mbyllje të fjalës sime, do të doja t’ju lija me mesazhin se me përpjekjet tona të përbashkëta, rajoni ynë, pavarësisht historisë së konflikteve, do të vazhdojë rrugën e tij drejt progresit ekonomik, paqes, sigurisë dhe stabilitetit.Shumë faleminderit për vëmendjen tuaj!* Fjala e ministres Milva Ekonomi në AP të NATO-Tiranë