Në pritje të Reformës në Drejtësi apo për Drejtësi?
Zoti Lu, këta janë duar të ndyta, që padrejtësisht, na e kanë bërë pis fytyrën edhe ne shqiptarëveTek dëgjoja këto ditët e fundit për varravingot për Reformën në Drejtësi, më erdhën në mend disa histori të rastësishme, që rrëfejnë shumë më shumë se artikuj të tërë shpjegues.Diku nga mesi i viteve 2000, tek luante mes fëmijësh në rërën e plazhit të Durrësit pranë Adriatik 2, im bir, atëbotë një fëmijë katër-pesëvjeçar, mori një të shtyrë të fortë nga një bashkëmoshatare e tij dhe u rrëzua keq; pas kësaj erdhi duke qarë në tryezën ku isha ulur. Ajo vajza, një bullafiqkë e vogël, i kishte ‘urdhëruar’ ta luanin lojën me rregullat e saj dhe se ai vendi aty ishte ‘i babit të saj’. Ai shenjoi me gisht nga ajo vajza pronare dhe vërejta se ishte e bija e një politikani shumë të lartë në atë kohë; ca më tutje ishte edhe e ëma dhe e vjehrra (e politikanit tonë), që tani është shpallur ‘pasunarja’ nga kanë rrjedhur milionat e milionave. Tani, nuk është çudi, e bija të ketë aksioneve kushedi ku. Mbase i gjen kjo Reforma në Drejtësi.Një prej behareve të fundit, një mikeshës sime që jeton në Holandë, tashmë një vajzë shumë e nderuar atje, i erdhi një ftesë t’i kalonte nja dy ditë me një mikeshën e saj të vjetër, të cilën kishte vite pa e takuar. ‘Holandezja’ është një nëpunëse e lartë, por ka një jetë të thjeshtë si e shumicës së holandezëve; edhe mikesha e saj shqiptare është një nëpunëse e thjeshtë, dhe burri i saj nëpunës i thjeshtë, por edhe 'pak' Ministër për disa vite. Mikesha shqiptare i bëri mikeshës holandeze një tur të gjatë nëpër vilat e bukura, apartamentet, sirtarët me butona ku rrinin shajet e saj, dhe kremastarët lëvizës të kollareve të të shoqit, letekomandat e famshme të dyerve e paneleve diellorë, të luleve të famshme të oborreve të sjella enkas nga ajo Holanda e saj, e të tjera e të tjera, që e kishin mahnitur mikeshën e saj holandeze. Si i ka bërë ministri të gjitha këto? Mbase i gjen kjo Reforma në Drejtësi.Një tjetër mikja ime, një nëpunëse e përkushtuar e administrates, tashmë e pushuar nga puna prej ceneve ‘në biografinë politike’, shkoi një ditë të uronte një miken e saj për shtëpinë e re. Mikesha e saj është një e papunë, që ditën e kalon me betejën e saj për të qenë në formë nëpër gym e sauna, me shoping e zbulime recetash të reja. Burri i saj është kryeredaktor i një gazete të rëndomtë, por i zoti si bythec i shefave të politikës. Shtëpia e re të linte pa mend, por më pa mend mikeshën time e la dialogu me të bijën. Kur e pyeti për punën dhe pagën që merrte atje, sigurisht një punë të mirë në shtet falë babait, e paduruar, ëma fjalamane i tha: “Me rrogën e saj ajo s’ble dot as edhe një krem fytyre”. Mikesha ime ishte pataksur, por edhe e fyer në asht dhe ishte betuar të mos shkelte më aty. Me një pagë të tillë si të vajzukes, ajo kishte mbajtur familjen e saj me vite. Tani nuk ka çfarë e mban më, por numëron qindarkat e asistencës. Ku i gjeti paratë ky zotëri? Mbase i gjen kjo Reforma në Drejtësi.Këto historira, që pavarësisht shpërfilljes time totale ndaj kësaj kaste hajdutësh, kanë ardhur deri tek unë rastësisht dhe janë vetëm dromca të të gjithës. Pas kësaj, e vërteta e plotë është një panoramë trishtuese, e këtij “ATDHEU PRIVAT”, që u vodh dhe u grabit i gjithi. Kjo është arsyeja pse këtyre tanëve u leh qeni shtrirë, ndaj Reforma në Drejtësi u duket një shaka e madhe dhe e shtyjnë dit’m’dit’ pa u trazuar fare. E ja kaloi Reforma, çfarë do t’u bësh këtyre? Këta janë tufë e madhe, tani të gjithë bashkë janë sistem hajdutësh: politikë-drejtësi. Pas 25 vitesh shqiptarët nuk besojnë më se do të gjendet një fajtor për fatin e tyre të mbrapshtë, makutëria e tyre i bëri shqiptarët nostalgjikë të komunizmit; ky është mbase edhe krimi më i madh i tyre. Çfarë do t’i bëjë reforma në drejtësi këtyre shembullorëve në planet: njëri ka 2800 kate pallatesh, tjetri disa brima në minierën e Bulqizës, tjetri i shiti pyjet e arrës dhe i qethi malet përjetë, tjetri i bleu për vete puset e naftës, tjetri vodhi edhe tavolinën e zyrës në ministrinë e tij dhe e çoi te vila e vet, tjetri zë kodrën, tjetri zë malin, tjetri betonon bregun.Këta e blejnë reformën dhe zhurmën që bëjnë, e bëjnë veç për sy e faqe. Asgjë nuk do të ndodhë, sa kohë betejat e deritanishme me hajdutë të këtij lloji, kanë përfunduar në dëmshpërblimin e tyre për “dinjitetin e prekur” nga përfolja që u kemi bërë si hajdutë. Veç në e paçi vërtet seriozish ju, zoti Lu, se sa për këta, ne e dimë këngën e vjetër. Tani iu rikthyen historive të vjetra se 'Imperializmi amerikan' po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. Harruan se deri tani, qoftë në pushtet (duke denigruar e shpifur për opozitën tek të huajt), e qoftë si opozitarë (duke spiunuar dhe telendisur pushtetin tek të huajt), s’kanë bërë gjë tjetër, veç i kanë lënë të kuptojnë të huajve se janë një zogori qensh. Sepse të vjedhin kombin e vet, ata e dinë shumë mire: Është vërtet punë e brendshme e shqiptarëve. Dhe tipike shqiptare madje. Të paktën në një gjë jemi të parën, në damkën e vendit më të korruptuar në Europe, dhe jo vetëm./Ky opinion u postua ne profilin e saj nga shkrimtarja Flutura Açka/
https://www.youtube.com/watch?v=h4Y_4kT_Ixs