Skandali me mbledhjen e borxheve të CEZ, Basha kërkon dorëheqjen e Metës

Në një dalje të rrufeshme në orët e pasdites, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës nga posti i kreut të Kuvendit.Kërkesa e shefit të demokratëve  lidhet me skemën mashtruese te mbledhjes se borxheve te CEZ nga kompania e  Kastriot Ismailit.Basha: "Jam sot këtu për ti kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës për mbledhjen e borxheve të energjisë.Faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media.Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë rryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion.Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ, sipas Agjensisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë. Partia Demokratike, dhe unë, kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit.Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë".Duke e cilësuar  Ismailin mik të zotit. Meta, Basha tha se ata i ndanin bashkë përfitimet e skandalit më të madh të mashtrimit  dhe korrupsionit në vend.Basha: "Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro, dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën.Faktet janë publikuar. Dosja është e plotë. Çështja është shumë serioze.Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri.Korrupsioni, marrja e rryshfetit, përvetësimi i miliona eurove është kthyer në normë sjellje e Ilir Metës dhe Edi Ramës, është bërë zakoni i tyre. Por kjo është e papranueshme për ne, është e papranueshme për qytetarët shqiptarë.Ne nuk do të lejojmë që korrupsioni e rryshfeti të sundojnë vendin".Sipas Bashës dorëheqja e Metës është parakusht që çështja të zbardhet terësisht.Basha: “Ilir Meta ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë më parë, duke ndikuar hetimet, për akuza shumë të rënda, duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij. Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë.Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim. Drejtësia do të vendoset me çdo mjet. Nëse Ilir Meta e ortaku i tij Edi Rama do tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar”.basha /Oranews.tv/