Dortmund do rekordin për pemën më të madhe të Krishtlindjeve

Pema më e madhe e Krishtlindjeve këtë vit do të jetë në Dortmund. Të paktën kështu pretendojnë ata që e kanë sjellë bredhin në tregun e Krishtlindjeve që ngrihet çdo vit me afrimin e festave.Ndërtuesi i pemës, Tomas Vaize, pranon se mund të ketë struktura të tjera më të mëdha, por sipas tij, kjo është më e madhja prej atyre të ndërtuara vetëm me pemë."Sigurisht që një pemë natyrale nuk mund të jetë aq e lartë. Mendoj se në Brazil ka një strukturë tjetër më të lartë se kjo, por është e bërë me çelik dhe poça të ndriçuar. Ndërsa ne këtu kemi përdorur 1700 bredha nga Zauerlandi, të cilët ishn mbjellë pikërisht për t'u përdorur për këtë qëllim", tha Vaize.Pema është 45 metra e lartë dhe mban 48 mijë drita dhe ornamente të ndriçuar. Në majë është vendosur një engjëll madhështor, rreth 4 metra i lartë dhe me peshë rreth 100 kilogram. Vizitorët e parë të tregut kanë mbetur të mahnitur."Më pëlqeu që u vendos kaq shpejt", thotë Frauke Brandmajer, e cila kishte dalë në rrugë vetëm për të parë ndezjen e dritave.Pema është vendosur në tregun më të madh të festave në Gjermani, në të cilin janë vendosur mbi 300 pika shitje ambulante. Tregu i Dortmundit është edhe një ndër më të vizituarit në Europë.