Qeveria mbyll Konsullatën në Nju Jork, zyrë konsullore pranë OKB-së

Shqipëria mbyll Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork dhe hap zyrën konsullore pranë misionit të përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave nën drejtimin e kreut të qeverisë Rama. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave.Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar dhe planin e veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.Po kështu Këshilli i Ministrave miratoi në parim dokumentet ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.