“Prishtina 2030” nën presion: Koha për Lojërat Mesdhetare po mbaron
Organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, mbetet një prej projekteve më të mëdha sportive dhe shtetërore që ka marrë ndonjëherë Kosova. Megjithatë, vonesat në realizimin e infrastrukturës sportive dhe shqetësimet për dinamikën e punimeve kanë ngritur alarmin te drejtuesit e sportit.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, përdori një krahasim të fortë për të përshkruar pasojat që do të sillte një dështim në organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për shtetin dhe sportin e Kosovës.
“Nuk po di çfarë fjale me gjet te dështimi sepse është shumë i madh. Mund të them që sikur të ia heqim një gjysmë pavarësie Kosovës, dështimi është shumë i madh, shpresoj që të mos vije te dështimi sepse ky dështim nuk duhet as të ndodh. Duhet të punojmë 24 orë që të mos vijmë te dështimi sepse nëse dështojmë në Lojërat Mesdhetare, atëherë dështojnë të gjitha sportet në Kosovë sepse nuk ka më besim për t’i dhënë Kosovës organizime të tjera. Ndoshta e keni parë prej momentit kur i kemi marrë Lojërat Mesdhetare në Kosovë sa federata kanë përfituar me organizime, plotë, sepse tani e kanë parë që Kosova ka marrë Lojëra Mesdhetare, është punë shumë e madhe, shumë shtete nuk i kanë marrë kurrë, edhe shtete afër nesh këtu nuk kanë pasur kurrë Lojëra Mesdhetare”, theksoi Krasniqi.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, tha se shqetësimi për ecurinë e përgatitjeve është i përbashkët për të gjithë komunitetin sportiv, por shprehu optimizëm se me angazhim institucional projekti mund të realizohet me sukses.
Ndërkaq, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, vlerësoi se koha për të vepruar po mbaron, duke kërkuar mobilizim të menjëhershëm për të dëshmuar se Kosova është e gatshme ta organizojë këtë ngjarje madhore.
KOK-u, federatat sportive dhe institucionet shtetërore kanë theksuar vazhdimisht se suksesi i Lojërave Mesdhetare nuk është vetëm çështje organizimi, por një mundësi historike për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në muajt dhe vitet në vazhdim, bashkëpunimi mes të gjitha palëve shihet si vendimtar, pasi realizimi me sukses i këtij projekti do të përcaktojë jo vetëm mënyrën se si Kosova do të prezantohet para komunitetit sportiv ndërkombëtar, por edhe besimin që do të ketë bota sportive për t’i dhënë vendit organizime të tjera të mëdha.

