Reagimi viral i Usykut pas triumfit dramatik të Joshuas ndaj Prengës/ Kampioni ukrainas nuk i fshehu emocionet

Oleksandr Usyk u kthye në një nga figurat më të komentuara të mbrëmjes, pasi reagimi i tij emocional gjatë fitores dramatike të Anthony Joshuas ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga pushtoi rrjetet sociale.

Joshua përjetoi një fillim makthi në "Jeddah Superdome", teksa Prenga e rrëzoi dy herë në raundin e parë. Goditja e parë erdhi vetëm 20 sekonda pas gongut hapës, ndërsa pak çaste më vonë shqiptari e dërgoi sërish në tapet britanikun, duke qenë shumë pranë një prej surprizave më të mëdha të viteve të fundit në boks.

Megjithatë, ish-kampioni i botës tregoi karakter, u rikthye fuqishëm në raundin e dytë dhe e mbylli duelin me nokaut teknik, duke siguruar një fitore të rëndësishme.

Në tribunë ndodhej edhe Oleksandr Usyk, rivali i dikurshëm dhe tashmë mik i Joshuas. Kamerat fiksuan momentin kur ukrainasi mori frymë thellë dhe shfaqi një lehtësim të dukshëm sapo britaniku siguroi fitoren. Pamjet u bënë menjëherë virale, me tifozët që interpretuan reagimin si dëshmi të respektit dhe miqësisë mes dy kampionëve.

"Fytyra e tij tregoi gjithçka", shkroi një tifoz në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër komentoi: "Usyk mori një frymë të madhe lehtësimi". Shumë përdorues theksuan se emocionet e ukrainasit tregonin se ai kujdeset sinqerisht për Joshuan.

Për britanikun, kjo ishte ndeshja e parë pas aksidentit tragjik me makinë në Nigeri, ku humbën jetën dy miqtë e tij të ngushtë, Sina Ghami dhe Latif "Latz" Ayodele. Pas triumfit, Joshua ua dedikoi fitoren atyre, duke pranuar se kishte kaluar një nga periudhat më të vështira të jetës së tij.

Suksesi ndaj Kristian Prengës i hap rrugën Anthony Joshuas drejt superduelit të shumëpritur me Tyson Fury, i cili pritet të zhvillohet në fund të këtij viti.