David Beckham me yll në “Hall of Fame” gjatë festës së Kupës së Botës
Ish-kapiteni i Anglisë dhe një nga ikonat më të mëdha të futbollit botëror, David Beckham, u nderua mbrëmë me një yll në “Hall of Fame” në Hollivud, vetëm pak orë përpara se Shtetet e Bashkuara të zhvillonin ndeshjen e tyre të parë në Kupën e Botës 2026.
Beckham, 51 vjeç, u bë pjesë e figurave të shquara të industrisë së argëtimit që kanë lënë gjurmë në kulturën amerikane.
Në ceremoninë e zhvilluar në Los Anxheles, ai u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, si dhe nga tre prej fëmijëve të çiftit.
Aktori i njohur Tom Cruise ishte i pranishëm në ceremoni, duke theksuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kur David erdhi këtu, shumë njerëz që nuk e ndiqnin futbollin papritur kishin një arsye për ta parë. Ai ndryshoi këtë sport në këtë vend”, tha Cruise.
Sipas tij, kur Beckham iu bashkua ekipit “LA Galaxy” në vitin 2007, liga amerikane kishte vetëm 13 skuadra, ndërsa sot numëron 30.
Në fjalën e tij, Beckham e cilësoi momentin si “vërtet të jashtëzakonshëm”, duke thënë se kurrë nuk e kishte imagjinuar se një futbollist nga një familje punëtore angleze do të merrte një nderim të tillë në Hollivud.
Ai theksoi se ceremonia kishte një domethënie të veçantë pasi përkonte me hapjen e Kupës së Botës 2026 në SHBA, duke e quajtur atë një dëshmi të rritjes së madhe që ka përjetuar futbolli në vend gjatë tre dekadave të fundit.
Victoria Beckham deklaroi se futbolli po hyn në një periudhë shumë emocionuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ky vlerësim për bashkëshortin e saj vjen në një moment shumë domethënës për sportin.
Pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist në vitin 2013, Beckham investoi në klubin “Inter Miami CF”, i cili bëri bujë me transferimin e Lionel Messi në vitin 2023 dhe fitoi titullin e MLS sezonin e kaluar për herë të parë në historinë e tij.

