VIDEO/ Zlatan Ibrahimovic "shpërthen" me ironi: Nuk punoj falas, jam shumë i shtrenjtë!
Zlatan Ibrahimovic ka qenë i ftuar në emisionin e njohur televiziv “Jimmy Kimmel Live”, ku ka dhënë një intervistë tipike për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe plot ironi.
Gjatë bisedës me moderatorin, ish-sulmuesi suedez u shfaq i sigurt dhe me humor, duke iu përgjigjur pyetjeve për karrierën, futbollin dhe rolin e tij të ri si komentator në Kupën e Botës 2026 për rrjetin Fox Sports.
Ibrahimovic nuk kurseu as batutat kur u pyet për pagën e tij në projektin televiziv. “Jam shumë i shtrenjtë… dhe më paguajnë një mal me para”, u shpreh ai, pa zbuluar shifrën konkrete, por duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme.
I njohur për vetëbesimin e tij të lartë, Zlatan nuk i shmangu as krahasimet me yjet e futbollit botëror, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, duke u përgjigjur me ironi: “Kë zgjedh mes tyre? Zgjedh veten time”.
Gjatë intervistës, ai u tregua edhe autoironik, duke kujtuar pjesëmarrjet e tij në Kupën e Botës: “Kam qenë me fat që kam luajtur dy herë në Botëror. Fatkeqësisht jam sulmues… dhe nuk kam shënuar asnjë gol”.
Ibrahimovic foli gjithashtu për jetën e tij në Los Anxhelos dhe për eksperiencën e re në media, duke theksuar se synon të sjellë një këndvështrim ndryshe si opinionist gjatë turneut, gjithmonë në stilin e tij karakteristik, pa filtra dhe me shumë vetëbesim.
