"Irani pranon të negociojë programin bërthamor"/ Rubio: SHBA shpreson për ulje tensionesh në Ngushticën e Hormuzit
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë me dije se Irani ka pranuar të negociojë disa pjesë të programit të tij bërthamor, në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen mes palëve.
Ai ka folur gjatë një seance në Senat, ku tha se negociatat janë ende në zhvillim dhe mund të sjellin zhvillime në ditët ose javët në vijim.
Sipas tij, për herë të parë prej kohësh, Irani është ulur në tryezë për të diskutuar disa aspekte të programit të tij bërthamor.
Rubio shprehu gjithashtu shpresën që këto bisedime të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Ai tha se qëllimi është që anijet të kalojnë lirshëm në ujëra ndërkombëtare, pa sulme dhe pa pengesa, duke e quajtur situatën aktuale të papranueshme.
I pyetur për sanksionet ndaj Iranit, Rubio tha se nuk është diskutuar ndonjë lehtësim i tyre si pjesë e marrëveshjes për ngushticën. Sipas tij, çdo ndryshim i sanksioneve lidhet drejtpërdrejt me programin bërthamor të Teheranit.
Gjithashtu, ai kritikoi veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se ato kundërshtohen nga shumica e vendeve në botë.

