Erdogan: Turqia po kundërshton përpjekjet për riformësimin e rajonit përmes konflikteve
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka folur pas mbledhjes së kabinetit në Ankara për situatën në rajon dhe rolin e vendit të tij në zhvillimet aktuale.
Ai është shprehur se Turqia po punon për të kundërshtuar përpjekjet që, sipas tij, synojnë riformësimin e rajonit përmes konflikteve të vazhdueshme.
Në fjalën e tij, ai ka përmendur situatat në Gaza, Liban, Sudan dhe Jemen, duke i cilësuar si pjesë të një procesi që sjell vetëm dhunë dhe humbje jetësh.
Sipas tij, Turqia po vazhdon të forcojë industrinë e saj të mbrojtjes dhe po synon të rrisë ndikimin në zhvillimet rajonale dhe globale. Ai ka shtuar se vendi është i përqendruar në objektiva afatgjata në një periudhë ndryshimesh të mëdha në botë.
Erdoğan ka folur edhe për unitetin e vendit, duke thënë se Turqia duhet të qëndrojë e bashkuar dhe e fortë përballë sfidave të kohës.
Në fund të deklarimeve të tij, ai ka komentuar edhe për Stambollin, duke thënë se qyteti do të mbetet turk dhe mysliman pavarësisht kundërshtimeve që ai i ka cilësuar si të lidhura me të kaluarën historike.
Ai ka theksuar se qeveria turke është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka në një periudhë transformimesh të mëdha dhe se vendi nuk duhet të përfshihet në përplasje të brendshme politike, por të fokusohet në zhvillim dhe forcim institucional.

