Musk përgatit lëvizjen e radhës/ Skenari i bashkimit të “Tesla” me “SpaceX”
Një tjetër zhvillim i madh mund të jetë në horizont për perandorinë e Elon Musk, pasi sipas raportimeve të CNBC po shqyrtohet mundësia e një bashkimi mes dy prej kompanive të tij më të fuqishme, “Tesla” dhe “SpaceX”.
Sipas burimeve të cituara nga media amerikane, Musk ka diskutuar me bashkëpunëtorët e tij skenarë të ndryshëm për integrimin e dy gjigantëve, ndërsa brenda Tesla-s disa punonjës besojnë se një marrëveshje e tillë “mund të realizohet në të ardhmen”. Dy kompanitë kanë bashkëpunuar më herët në projekte teknologjike dhe hapësinore, çka ka ushqyer më tej spekulimet
Analistët e Wedbush, përfshirë Dan Ives, kanë vlerësuar më herët se ekziston një mundësi reale që Tesla të integrohet me SpaceX dhe xAI, duke krijuar një ekosistem të gjerë që kombinon inteligjencën artificiale, teknologjinë hapësinore dhe industrinë e automjeteve elektrike.
“Qëllimi është krijimi i një sistemi të unifikuar teknologjik që operon si në Tokë ashtu edhe në Hapësirë”, është shprehur Ives në analizat e tij.
Ndërkohë, në botën e biznesit, koncepti i “sinergjive” mes kompanive të mëdha shihet si një praktikë e zakonshme, por në këtë rast, sipas vëzhguesve, thelbi i një bashkimi të tillë lidhet kryesisht me kontrollin dhe strukturën e pushtetit brenda perandorisë së Musk.
Raportet financiare tregojnë se Musk ka tashmë një kontroll dominues mbi SpaceX, ku zotëron shumicën vendimmarrëse të aksioneve, ndërsa në Tesla mban rreth 20 për qind të kapitalit. Kjo do të thotë se çdo bashkim i mundshëm do ta vendoste atë në një pozitë negociuese tepër të fortë.
Megjithatë, aksionerët e Tesla-s do të kenë fjalën përfundimtare, pasi çdo marrëveshje e tillë do të kërkonte votimin e tyre. Ekspertët theksojnë se struktura financiare e SpaceX mund të çojë në një bashkim përmes shkëmbimit të aksioneve, ndërsa një blerje me para në dorë do të reduktonte ndjeshëm shqetësimet e investitorëve.
Nëse një skenar i tillë realizohet, ai mund të shënojë një nga lëvizjet më të mëdha korporative në historinë e teknologjisë globale, duke riformësuar jo vetëm tregun e automjeteve elektrike dhe hapësirës, por edhe vetë ekosistemin e inteligjencës artificiale.

