Nga Shqipëria në Greqi/ Libri "Shijet Tona" promovohet më 5 qershor në Athinë
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Shqipëri, libri “Shijet Tona”, i cili ka zgjuar interes të madh për trashëgiminë kulinare shqiptare, nis tashmë një rrugëtim të ri përtej kufijve të vendit.
Më 5 qershor, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, do të zhvillohet një aktivitet i veçantë kushtuar prezantimit të librit dhe takimit me autoren, gazetaren e njohur Ilda Lumani. Eventi organizohet në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Greqi dhe synon të afrojë diasporën me vlerat e gastronomisë dhe kulturës shqiptare.
“Shijet Tona” përmbledh 99 receta autentike nga të gjitha trevat shqiptare, nga jugu në veri, duke sjellë në vëmendje pasurinë e kuzhinës tradicionale dhe historitë që fshihen pas saj. Botimi është pritur me interes të veçantë nga lexuesit, pasi promovon ruajtjen e traditave kulinare dhe transmetimin e tyre ndër breza.
Gjatë aktivitetit në Athinë, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen nga afër me autoren, të zbulojnë sekretet e recetave tradicionale dhe të diskutojnë mbi rëndësinë që gastronomia ka në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe lidhjes së shqiptarëve me rrënjët e tyre.
Ky prezantim shënon një tjetër hap të rëndësishëm për “Shijet Tona”, duke e kthyer librin në një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.
