Sot, Dita Globale e Prindërve

Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, sot është Dita Globale e Prindërve e shpallur si e tillë që në vitin 2012, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në nder të prindërve në të gjithë botën.

Gjatë viteve 1980, Kombet e Bashkuara filluan të përqendronin vëmendjen në çështjet që lidhen me familjen. Në vitin 1983, Komisioni për Zhvillim Social i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të rriste ndërgjegjësimin midis vendimmarrësve dhe publikut për problemet dhe nevojat e familjes, si dhe për mënyrat efektive për përmbushjen e këtyre nevojave.

Sot UNICEF-i lançoi Ditën Globale të Prindërve nën temën “Së bashku për prindërit”.  UNICEF thekson rëndësinë e kohës dhe mbështetjen që prindërit ose kujdestarët kanë nevojë për t’u dhënë fëmijëve si një fillim i fortë në jetë.

UNICEF thotë se, të jesh prind është një nga përvojat më universale, por nuk është diçka e lehtë. Ky mision ka sfidat e veta edhe shumë kohë para se fëmijët të lindin.

Fushatat dhe programet edukative organizohen gjerësisht për prindërit dhe për të inkurajuar stabilitetin brenda bërthamës familjare.