SKANDAL PËRGJIMESH NË GREQI? Gazetari Guri: Në fillim u mohua ekzistenca e tyre, flitet për përfshirje të figurave të larta të shtetit

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, gazetari Etmond Guri solli zhvillimet më të fundit nga Greqia, ku vendi po përballet me një skandal të madh përgjimesh që ka përfshirë nivele të larta të politikës dhe institucioneve shtetërore.

Sipas tij, çështja ka kaluar nga mohim fillestar në pranimin se persona të rëndësishëm të shtetit grek kanë qenë nën përgjim, përfshirë pjesë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të institucioneve të sigurisë.

Debati është përqendruar te arsyeja e përdorur për këto veprime, që lidhet me “sigurinë kombëtare”, ndërsa opozita dhe figura brenda vetë mazhorancës kanë kërkuar më shumë transparencë për rastin.

“Fillimisht u mohua ekzistenca e përgjimeve, më pas u pranua pjesërisht dhe tani flitet për një skandal ku janë përfshirë figura shumë të larta të shtetit. Kjo ka hapur një debat të madh politik në vend dhe ka sjellë reagime edhe brenda vetë qeverisë.”-tha Guri.

Sipas tij, skandali është kthyer në një çështje që po ndikon drejtpërdrejt në klimën politike në Athinë, duke krijuar përplasje edhe brenda partisë në pushtet, ndërsa opozita po e shfrytëzon situatën për presion politik.

Në të njëjtën kohë, vëmendje ka marrë edhe vizita e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në Tiranë, e cila është diskutuar gjerësisht në mediat greke për shkak të kontekstit të ndjeshëm politik në vend.

“Vizita e Nikos Dendias në Tiranë u zhvillua në një moment të tensionuar në Greqi. Ajo u fokusua në çështje si deti, ligji i luftës dhe integrimi europian i Shqipërisë, por në Athinë është komentuar edhe në raport me profilin e tij politik dhe origjinën familjare.”-shtoi ai.

Sipas gazetarit, pavarësisht krizës së brendshme politike në Greqi, marrëdhëniet me Shqipërinë mbeten pjesë e rëndësishme e agjendës së politikës së jashtme greke dhe vijojnë të mbeten në fokus të zhvillimeve diplomatike.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: