Miti i amvisës: pse historia e “gruas tradicionale” është keqkuptuar!
Termi “grua tradicionale” përdoret shpesh për të përshkruar një grua që zgjedh rolin e nënës, bashkëshortes dhe amvisës, duke qëndruar larg jetës profesionale. Por sipas historianëve, ideja se gratë kanë kaluar pjesën më të madhe të historisë vetëm në shtëpi nuk është aq e vërtetë sa mendojmë sot.
Historiania, Victoria Bateman, e quan këtë një nga mitet më të mëdha historike. Në një intervistë për Financial Times, ajo shpjegon se shumica e grave gjatë historisë kanë qenë të detyruara të punonin për të mbijetuar.
“Gruaja mesatare nuk kishte luksin të mos punonte”, shprehet Bateman. “Ato punonin në fabrika, në shërbime shtëpiake, në tregti apo shisnin produkte në rrugë. Shumë gra të klasës punëtore kishin dyqane të vogla ose fitonin para duke shitur ushqime dhe mallra të ndryshme.”
Sipas saj, edhe gratë e klasës së mesme kishin mënyrat e tyre për të siguruar të ardhura. Rrugët më të zakonshme ishin puna si guvernante, shkrimtare apo figura të lidhura me jetën sociale të kohës.
Megjithatë, edhe pse gratë fitonin para, ato përballeshin me një tjetër pengesë të madhe, sistemin financiar. Për shumë vite, grave nuk u lejohej të kishin kontroll të plotë mbi paratë e tyre apo akses të barabartë në banka.
Në këtë pikë hyn në histori filantropistja britanike Priscilla Wakefield, e cila krijoi një mënyrë që gratë të kursenin dhe të investonin të ardhurat e tyre. Ajo mblidhte kursimet e grave, i investonte në obligacione dhe u kthente fitim me interes.
Debati mbi “gruan tradicionale” është rikthyer fuqishëm vitet e fundit, sidomos në rrjetet sociale, ku shumë përmbajtje romantizojnë idenë e amvisës perfekte. Por historianët kujtojnë se realiteti i grave në të kaluarën ka qenë shumë më kompleks dhe më i lidhur me punën, mbijetesën dhe pavarësinë ekonomike sesa me jetën e qetë shtëpiake që shpesh paraqitet sot.
Pra, gruaja tradicionale nuk ka qenë domsdoshmërisht shtëpiake, por një grua që punonte e mbijetonte sipas rrethanave të kohës.
