Fundjavë në Europë pa shpenzime të mëdha! Njihuni me qytetet më të lira për 2026!

Një fundjavë në Europë mund të duket si një ofertë perfekte: bileta të lira avioni dhe një qytet i ri për të eksploruar. Por shpesh ndodh që pasi mbërrin, shpenzimet për hotelin, ushqimin dhe transportin bëhen shumë më të larta nga sa pritej. Megjithatë, ende ka qytete europiane ku mund të kalosh bukur pa shpenzuar shumë.

Sipas raportit vjetor “Post Office City Costs Barometer”, disa destinacione ofrojnë çmime shumë më të ulëta se qytetet e famshme turistike. Raporti llogarit shpenzimet për akomodimin, ushqimin, transportin publik dhe atraksionet turistike.

Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë

Kostoja e fundjavës: rreth 290 €

Sarajeva renditet si qyteti më i lirë në listë. Kryeqyteti boshnjak është rikthyer pas plagëve të luftës dhe sot tërheq turistë me atmosferën mikpritëse dhe përzierjen e kulturës osmane, austro-hungareze dhe europiane. Atraksioni më i njohur është Tuneli i Shpresës, i përdorur gjatë rrethimit të qytetit.

Bukuresht, Rumani

Kostoja e fundjavës: rreth 302 €

Bukureshti mbart ende gjurmët e diktatorit Nikolae Çaushesku, sidomos te Pallati gjigant i Parlamentit. Megjithatë, qyteti ruan hijeshinë që dikur i dha nofkën “Parisi i Lindjes”. Muzeu Kombëtar i Artit është një tjetër pikë e rëndësishme për vizitorët.

Tiranë, Shqipëri

Kostoja e fundjavës: rreth 308 €

Kryeqyteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më popullor si një destinacion alternativ europian. Në Tiranë ndërthuren monumentet romake me trashëgiminë komuniste. Galeria Kombëtare e Arteve dhe bunkerët e kthyer në muze, si Bunk’Art, janë ndër vendet më interesante për turistët.

Fundjavë në Europë pa shpenzime të mëdha! Njihuni me

Beograd, Serbi

Kostoja e fundjavës: rreth 310 €

Beogradi njihet për jetën e gjallë urbane dhe skenën artistike. Kisha e Shën Savës është një nga kishat ortodokse më të mëdha në botë, ndërsa Muzeu i Jugosllavisë ruan varrin e Josip Broz Titos.

Trençin, Sllovaki

Kostoja e fundjavës: rreth 318 €

I rrethuar nga kodra dhe male, Trençin po fiton famë si qendër kulturore. Qyteti është i njohur për kështjellën historike dhe festivalin muzikor Pohoda.

Riga, Letoni

Kostoja e fundjavës: rreth 325 €

Pas pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, Riga është kthyer në një destinacion shumë tërheqës falë arkitekturës së larmishme, ushqimit dhe birrës së mirë. Afër qytetit ndodhet edhe resorti bregdetar Jurmala.

Lilë, Francë

Kostoja e fundjavës: rreth 338 €

Fundjavë në Europë pa shpenzime të mëdha! Njihuni me

Lila kombinon kulturën franceze me ndikimet flamande. Qyteti është i njohur për lagjen historike Vieux Lille dhe galerinë prestigjioze Palais des Beaux-Arts.

Vilnius, Lituani

Kostoja e fundjavës: rreth 338 €

Vilniusi ka një histori të pasur hebraike dhe një qytet të vjetër barok të mbrojtur nga UNESCO. Muzeu i Okupimeve dhe Luftës për Liri tregon periudhën e sundimit sovjetik.

Strasburg, Francë

Kostoja e fundjavës: rreth 373 €

Pranë kufirit gjerman, Strasburgu ofron një kombinim unik kulturor francez dhe gjerman, sidomos në arkitekturë dhe kuzhinë. Katedralja gotike e qytetit konsiderohet një nga më të bukurat në Europë.

Podgoricë, Mali i Zi

Kostoja e fundjavës: rreth 388 €

Fundjavë në Europë pa shpenzime të mëdha! Njihuni me

Podgorica nuk është një destinacion tipik turistik, por shërben si pikënisje ideale për të eksploruar natyrën e Malit të Zi. Atraksioni kryesor është Liqeni i Shkodrës që nuk ndodhet shumë larg dhe parku kombëtar përreth tij.

Raporti tregon se Europa nuk është domosdoshmërisht e shtrenjtë. Për ata që kërkojnë aventura me buxhet të kufizuar, këto qytete ofrojnë histori, kulturë dhe përvoja interesante pa boshatisur portofolin.