Çfarë na bën vërtet të lumtur? Përgjigjja nga studimi më i gjatë në botë

Studimi 85-vjeçar i Harvardit zbulon sekretin e lumturisë!

“Çfarë e bën një jetë të lumtur dhe të shëndetshme?” - Kjo është pyetja që ka ndjekur për më shumë se 85 vite studimin më të gjatë mbi jetën njerëzore, të drejtuar nga psikiatri Robert Waldinger në Harvard Medical School.

Studimi nisi në vitin 1938 dhe ka ndjekur jetën e qindra njerëzve nga rinia deri në pleqëri. Fillimisht përfshinte 724 djem të rinj, studentë të Harvardit dhe fëmijë nga familje shumë të varfra të Bostonit, ndërsa më vonë u zgjerua me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Sot, më shumë se 2 mijë persona janë pjesë e këtij kërkimi unik.

Përfundimi kryesor i studimit është befasues në thjeshtësinë e tij: marrëdhëniet e mira njerëzore janë faktori më i rëndësishëm për lumturinë dhe shëndetin afatgjatë.

Sipas Waldinger, shumica e njerëzve mendojnë se lumturia lidhet me paranë, suksesin apo famën. Por studimi tregon të kundërtën. Personat që kishin marrëdhënie të ngrohta, të sigurta dhe mbështetëse jetuan më gjatë, kishin shëndet më të mirë fizik dhe ruajtën më mirë funksionet mendore në pleqëri.

Ai shpjegon se vetmia është një nga faktorët më të rrezikshëm për shëndetin, pothuajse po aq e dëmshme sa pirja e duhanit apo obeziteti.

Njerëzit që ndihen të izoluar jetojnë në një gjendje të vazhdueshme stresi, me nivele të larta të hormonit kortizol dhe inflamacionit në trup, gjë që rrit rrezikun për sëmundje zemre, diabet dhe probleme neurologjike.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet e mira funksionojnë si “rregullator emocional”. Edhe mbajtja e dorës së dikujt gjatë një procedure mjekësore ul nivelin e stresit në trup.

Studimi nxori gjithashtu në pah se lumturia nuk është një gjendje e përhershme. Sipas Waldinger, askush nuk është i lumtur gjatë gjithë kohës dhe kjo është krejt normale. Jeta ka ulje-ngritje për të gjithë.

Ai thekson se marrëdhëniet kërkojnë përkujdesje të vazhdueshme, njësoj si shëndeti fizik. Njerëzit më të lumtur ishin ata që investonin vazhdimisht te miqtë, familja dhe komuniteti: ftonin njerëz në shtëpi, telefononin, mbanin kontakte dhe krijonin lidhje të reja.

Një tjetër element i rëndësishëm në jetën e tij është praktika Zen dhe meditimi. Waldinger, i cili është edhe mësues Zen, beson se vetëdija dhe pranimi i faktit që gjithçka ndryshon vazhdimisht ndihmojnë njerëzit të vuajnë më pak dhe të jenë më të dhembshur me veten dhe të tjerët.

“Nuk ekziston një njeri plotësisht i ndriçuar,” thotë ai. “Ekziston vetëm sjellja e ndriçuar në momentin e caktuar.”

Sipas tij, sekreti i jetës së mirë nuk është perfeksioni, por kujdesi i vazhdueshëm për marrëdhëniet, pranimi i ndryshimit dhe aftësia për të mos u përballur vetëm me vështirësitë.

“Mos u shqetëso kurrë vetëm,” është këshilla që ai thotë se ka ndryshuar jetën e tij.