34 kushte nga BE, Malaj: Mbyllja e kapitujve, është momenti më i vështirë i procesit të integrimit

Pas mbajtjes së Konferencës së Tetë Ndërqeveritare në Bruksel, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë kritike dhe të mbushur me pengesa të vështira. Ndonëse qeveria e trumbeton këtë moment si një sukses historik, detajet tregojnë një realitet shumë më sfidues.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, në një intervistë për “Ora News” e pranon se faza përmbyllëse e negociatave është momenti më i vështirë i gjithë procesit të integrimit, duke kërkuar angazhimin e të gjitha forcave politike.

Raporti i fundit i progresit, i cili u mbajt në diskutim për rreth dy muaj nga shtetet skeptike të BE-së, ka zbuluar një gjuhë shumë më të ashpër krahasuar me draftet fillestare.

Përballë 34 kushteve themelore që lidhen drejtpërdrejt me korrupsionin, zgjedhjet dhe pastrimin e parave, institucionet shqiptare gjenden nën një presion të paprecedentë ku reformat në letër nuk mjaftojnë më dhe kërkohen rezultate konkrete.

Pavarësisht kësaj, Malaj këmbëngul se viti 2030 mbetet i vetmi afat realist për anëtarësimin e plotë.

Një vëmendje të veçantë kanë marrë edhe kërkesat tepër strikte të Gjermanisë dhe shteteve të tjera anëtare, të cilat duket se kanë zbehur euforinë politike në Tiranë.

Përballë këtij "dushi të ftohtë" nga ndërkombëtarët, Malaj e justifikon situatën duke u shprehur se nuk bëhet fjalë për eufori, por për një ritëm të lartë pune që vjen si rrjedhojë e hapjes së kapitujve në kohë rekord.

PJESË NGA INTERVISTA

Atëherë pak ditë pas miratimit të IBARIT, ngjarja më e rëndësishme e javës ka qenë mbledhja e konferencës së tetë ndërqeveritare në Bruksel duke shënuar kështu atë që u cilësua një hap para në procesin e negociatave të anëtarësimit. Pra, zyrtarisht Shqipëria ka hyrë në atë fazë që është edhe vendimtarja, ndoshta më e vështira e negociatave me Bashkimin Evropian sepse ka shumë detyra edhe shumë gjëra për të përmbushur.

Erion Malaj: Po, në fakt do t'i përgjigjem kësaj pyetjes tuaj me dy mënyra apo me dy terma, në terma teknik dhe në atë politik. Për sa i përket termave teknik patjetër që konferenca ndërqeveritare ishte treguesi më i qartë. Pra se aktualisht Bashkimi Europian nëpërmjet asaj konference konfirmoi zyrtarisht atë që ne e kemi thënë prej vitesh që tashmë Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit, ne e prisnim këtë moment, kemi kohë që e themi që do të arrinim në këtë moment. Fatkeqësisht u komentua dhe u diskutua gjatë pa ndonjë arsye specifike duke, duke shpikur edhe bllokime, shtyrje apo gjëra të tjera të cilat nuk i bëjnë mirë procesit sepse ky është një proces që i shërben në radhë të parë vendit por edhe të gjitha partive politike sepse nuk ka asnjë parti politike në Shqipëri që nuk e ka në programin e saj anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj dhe në terma politik ajo që mund të themi është që Shqipëria tashmë nuk është më në fazën a do të ecë më përpara, por në fazën se sa shpejt dhe sa seriozisht ne e kemi për përmbylljen e këtij procesi. Pra është një moment shumë i rëndësishëm, është një moment shumë i vështirë, është një ndryshim i madh edhe në perceptimin europian ndaj Shqipërisë, prandaj duhet të ngrihemi si forca politike të gjitha bashkë ne e para si mazhorancë që e kemi për detyrë, por edhe të gjithë të tjerët të ngrihemi në nivelin e duhur që të përballemi me përmbylljet e negociatave që tashmë kemi nisur.

Raporti IBAR u mbajt dy muaj e më shumë në diskutim ndërmjet shteteve të Bashkimit Europian sepse disa ishin dhe ndoshta vazhdojnë të jenë skeptike. U miratua pas dy muajsh, por në fakt pamë që kishte një gjuhë disi ndryshe, më të ashpër krahasuar me draftin e muajit shkurt. Si u pritën këto ndryshime?

Erion Malaj: Nuk na shqetëson aspak kjo gjë fare. E para njëherë duhet të jemi shumë të qartë edhe të jemi realistë me veten. Ne vazhdojmë të themi atë që kemi thënë gjithmonë që hyrja në këtë fazë përmbyllëse ku tashmë jemi nuk do të thotë që puna mbaroi. Përkundrazi, tani fillon një pjesë shumë e vështirë, pjesa më e vështirë sepse Bashkimi Europian nuk do vetëm reforma të shkruara në letër por sigurisht që do që këto reforma të jenë konkrete. Pra do institucione funksionale, do zbatim real të ligjit e me radhë. Gjëra të cilat ne patjetër që i kemi prioritet. Ne dimë të gjitha arritjet që kemi bërë, ashtu siç dimë edhe të gjithë sfidat që kemi përpara. Raporti nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka njohur të gjitha meritat tona ashtu siç ka vënë në dukje të gjitha sfidat tona për të cilat ne kemi marrë përgjegjësinë si forcë politike në mazhorancë dhe në drejtimin e vendit, që t'i çojmë përpara dhe t'i plotësojmë. Dhe vazhdojmë t'i qëndrojmë po atyre afateve të cilat kemi dakordësuar me Bashkimin Evropian.

Kur flisni për afate, a është një afat realist 2030?

Erion Malaj: Është afati i vetëm dhe më realisti që ne kemi pasur dhe kemi.

Tani do të ecet përpara me negociatat për mbylljen e kapitujve dhe veçanërisht është ai që konsiderohet edhe si një prej kapitujve më të rëndësishëm, kapitulli i parë i themeloreve. Dhe siç e përmenda, janë vendosur jo pak, por 34 kushte që lidhen me korrupsionin, me zgjedhjet, me pastrimin e parave.

Erion Malaj: Po, në fakt ne e dimë këtë gjë, nuk ka asnjë çudi që ne e dimë se ku duhet të punojmë më shumë dhe e dimë se ku do të jetë fokusi ynë. Jemi të qartë për sfidat që kemi përpara, kemi objektiv parësor dhe të vetëm arritjen e të gjitha këtyre standardeve. Mbyllja e negociatave pra mbyllja e kapitujve që ne tashmë kemi nisur zyrtarisht, është momenti më i vështirë i procesit të integrimit. Kjo është e qartë për të gjithë ata që merren me integrimin në Bashkimin Europian por dhe për studiuesit e kësaj çështjeje, por ndoshta nuk është e qartë për qytetarët ndaj ne kemi qëndruar gjithmonë në të njëjtën bindje. Kemi bërë të qartë faktin se me çfarë po përballemi, kemi bërë të qartë edhe të gjithë vullnetin tonë politik duke ndërmarrë reforma të cilat kanë qenë edhe të paimagjinueshme në shoqërinë dhe realitetin shqiptar. Sigurisht nuk jemi perfekt, sigurisht kemi shumë punë përpara për të bërë. Ky është qëllimi ynë dhe këto do të jenë objektivat që do të kemi tanimë në vazhdim për të përmbyllur kapitujt dhe për të mbyllur procesin kaq të gjatë që prej ndryshimit të sistemit dhe dëshirën e madhe që ka çdo shqiptar për t'u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.

Për nisjen e fazës përmbyllëse të kapitujve me Bashkimin Europian ka pasur kërkesa strikte të Gjermanisë po edhe të ndonjë vendi tjetër të cilat janë shprehur edhe në vlerësimet e tyre menjëherë pas mbledhjes së konferencës së tetë ndërqeveritare.

Erion Malaj: Këtë gjë nuk e shqetëson...

Ju shqetësojnë këto kërkesa strikte që i bëhen Shqipërisë, ndoshta duke e ulur pak atë ritmin e euforisë?

Erion Malaj: Shiko, ky nuk është ritëm euforie. Ky është ritëm si rezultat i punës. Sepse ritëm euforie do ishte nëse ne do të flisnim përpara kohe për gjëra të cilat akoma nuk i kemi arritur. Ne e prisnim IBARIN dhe e prisnim dhe momentin teknik, sepse pa IBARIN nuk mund të kalonim në mbylljen e kapitujve, dhe kemi qenë gjithmonë koherent në atë çfarë kemi thënë dhe jemi të vetëdijshëm për procesin që kemi përpara. Sigurisht që çdo kërkesë sidomos kur vjen nga vendet të cilat e kanë mbështetur gjithmonë dhe vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë, siç është edhe Gjermania, atëherë ne nuk na shqetëson kjo gjë fare, përkundrazi na jep më shumë përgjegjësi. Duhet të jemi absolutisht shumë më të saktë në gjithë çfarë do bëjmë tani e mbrapa dhe jemi të hapur dhe jemi të bindur që do të arrijmë bashkarisht që të punojmë fort për të arritur të gjitha këto kërkesa, madje edhe kur ato mund të jenë specifike.

Po, zoti Malaj flas për eufori sepse kujtojmë Malin e Zi që në vitin 2012 kishte 33 kapituj me Bashkimin Europian dhe ja ku jemi sot pas gati 14 vitesh ka mbyllur provizorisht vetëm 14 kapituj. Megjithatë shpresojnë që në 2028-ën, pra dy vite para Shqipërisë të jetë, të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Erion Malaj: Keni shumë të drejtë. Ju e dini që ne në fakt ky është problemi, ne i kemi bërë çdo gjë në kohë rekord dhe duke qenë se kemi bërë hapjen e gjithë kapitujve në kohë rekord tashmë pritet i njëjti vrull, i njëjti ritëm për çdo gjë dhe në momentin që ka, nuk po e quaj vonesë po nëse ka një afat të caktuar.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEPUTETIN SOCIALIST ERION MALAJ