Merz: NATO ka nevojë për prani më të fortë në krahun lindor

Qeveria gjermane i ka shprehur Bukureshtit mbështetjen dhe solidaritetin e saj pas rrëzimit të një droni rus në territorin rumun.

“Përplasja e dronit dëshmon edhe një herë gatishmërinë e Rusisë për të përshkallëzuar tensionet”, deklaroi sot kancelari gjerman Friedrich Merz në platformën X.

“Gjermania qëndron krah për krah me aleatët e saj në NATO”, shkroi ai, duke shtuar se incidenti tregon edhe një herë nevojën për një prani të fortë të NATO-s në krahun lindor të aleancës.

“Ne jemi të gatshëm të mbrojmë territorin e aleancës”, theksoi Merz.

Një dron rus goditi gjatë natës një pallat shumëkatësh në qytetin rumun Galați, pranë kufirit me Ukrainën. Përplasja shkaktoi një zjarr në katin e 10-të të ndërtesës.

Sipas Ministrisë së Brendshme rumune, dy persona pësuan lëndime të lehta dhe morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.

Ministria gjermane e Mbrojtjes deklaroi se incidenti nuk sjell ndryshim të situatës aktuale. Një zëdhënës në Berlin theksoi se NATO mbetet një aleancë mbrojtëse, e gatshme të mbrojë territorin e vendeve anëtare.

“Sjellja e papërgjegjshme e Rusisë vazhdon të kërcënojë sigurinë tonë kolektive”, shkroi në X ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul.

“Përgjigjja jonë është uniteti. Ne qëndrojmë pranë Rumanisë. Mendimet tona janë me të lënduarit nga rrëzimi i dronit gjatë natës”, shtoi ai.