Bosnja e ndarë për fatin e OHR-it/ Republika Sërpska kërkon mbylljen e tij, Federata qëndron kundër
Në Bosnje dhe Hercegovinë po rritet debati për të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), institucioni ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Në prag të mbledhjes së Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) në fillim të qershorit, partitë politike në vend janë të ndara për rolin që duhet të ketë OHR në të ardhmen.
Në Republikën Sërpska është miratuar një deklaratë që kërkon mbylljen e zyrës ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si pengesë për sovranitetin e vendit.
Ndërkohë, përfaqësues politikë nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës kërkojnë që OHR të mbetet me kompetenca të plota, duke argumentuar se institucionet vendore ende nuk janë të afta të zgjidhin vetë krizat politike.
Disa parti dhe zyrtarë kroatë kanë propozuar që zyra e përfaqësuesit të lartë të zhvendoset në Bruksel dhe të ketë rol më të kufizuar.
Debati vjen në një moment kur vetë përfaqësuesi aktual, Christian Schmidt, ka paralajmëruar se mund të largohet nga detyra deri në fund të qershorit, ndërsa ende nuk është përcaktuar pasardhësi i tij.
Analistët vlerësojnë se ndasitë politike brenda vendit tregojnë se Bosnja vazhdon të mbetet e bllokuar në çështje kyçe dhe se edhe pa praninë e OHR-it, tensionet politike do të vijonin.
Sipas tyre, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka shërbyer për vite si mekanizëm ndërkombëtar që ndërhyn kur institucionet vendore nuk arrijnë marrëveshje, por një pjesë e klasës politike e sheh tashmë si të tejkaluar.
Mbledhja e ardhshme e PIC pritet të jetë vendimtare për përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të kësaj zyre dhe rolit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë.

