"Nato, siguri afatgjatë për Kosovën"/ Kongresistët amerikanë takim me Kurtin, SHBA mbështetje në fushën e mbrojtjes

Kongresistë amerikanë kanë zhvilluar takime në Kosovë me drejtues shtetërorë, ku në fokus kanë qenë anëtarësimi i vendit në NATO dhe situata e sigurisë në rajon.

Delegacioni përbëhej nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët u takuan me ushtruesen e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe me zyrtarë të tjerë politikë në Prishtinë.

Në takime u diskutua mbështetja për rrugën e Kosovës drejt NATO-s, si dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Po ashtu u fol edhe për situatën në rajon dhe rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarët kosovarë shprehën qëndrimin se anëtarësimi në NATO është një objektiv i rëndësishëm për sigurinë afatgjatë të vendit dhe për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjatë vizitës, delegacioni amerikan u takua edhe me përfaqësues të tjerë politikë në Kosovë dhe zhvilloi takime edhe në Luginën e Preshevës, ku u diskutua për të drejtat e komuniteteve shqiptare dhe pakicave në rajon.

Vizita vjen në një periudhë kur në SHBA janë paraqitur edhe iniciativa dhe rezoluta që mbështesin rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe vazhdimin e pranisë së trupave amerikane në misionin paqeruajtës KFOR.

Kosova mbetet ende në procesin e reformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri dhe synon anëtarësimin në NATO, megjithëse disa shtete anëtare të aleancës nuk e kanë njohur ende pavarësinë e saj./rel