KUJDES ME PSORIAZIN! Sëmundja e lëkurës që kërkon trajtim në kohë dhe kontroll
Mjekët dermatologë vijonë të këshillojnë qytetarët për kujdesin ndaj lëkurës. Dermatologia Dorina Hajro këshillon qytetarët që të kenë kujdes nga Psoriazi një sëmundje kronike e lëkurës, me natyrë autoimune, e cila shfaqet me pllaka të kuqe, kruarje të vazhdueshme. Edhe pse në shumë raste fillon në zona të vogla të trupit mjekja apelon që të trajtohet në kohë në mënyrë që ajo të mos përhapet në sipërfaqe më të mëdha.
Pllaka të kuqe në lëkurë, kruarje të vazhdueshme apo një shtresë e bardhë në sipërfaqe janë disa nga shenjat që nuk duhet t’i neglizhoni!
Për mjekët këto janë disa nga shenjat më të zakonshme të psoriazit, një sëmundje kronike autoimune që prek një numër të madh personash në mbarë botën.
Mjekja dermatologe dorina Hajro në një intervistë për Ora News, thotë se edhe pse sëmundja shfaqet fillimisht në lëkurë, ajo mund të ndikojë edhe në organe të tjera të trupit.
Sipas saj, psoriazi ka edhe predispozitë gjenetike dhe mund të shfaqet me lezione të vogla në bërryla, kraharor, bark apo shpinë, ndërsa në raste më të rralla prek edhe fytyrën dhe skalpin.
Mjekja thekson se gjatë verës simptomat shpesh përmirësohen falë diellit dhe detit, por kjo nuk duhet të çojë në neglizhencë të sëmundjes dhe nëse nuk trajtohet në kohë mund të përhapet në sipërfaqe më të mëdha të trupit.
Dermatologia apelon që çdo person që vëren ndryshime të pazakonta në lëkurë të drejtohet menjëherë tek specialisti, pasi në shumë raste sëmundja ngatërrohet me ekzemën dhe diagnostikohet me vonesë.
