Qepa si trajtuese “anti-age”, njihuni me trendin më të ri në rrjetet sociale!

Një trend i ri që po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale pretendon se qepa mund të përdoret si një trajtim natyral kundër rrudhave dhe shenjave të plakjes në fytyrë.

Maskat shtëpiake me qepë po promovohen nga shumë përdorues online si një mënyrë për të rigjallëruar lëkurën dhe për të përmirësuar elasticitetin e saj, por ekspertët kërkojnë kujdes ndaj këtyre pretendimeve.

Sipas informacioneve që po qarkullojnë në internet, qepa përmban vitaminë C dhe përbërës me bazë squfuri, të cilët lidhen me prodhimin e kolagjenit në organizëm. Kolagjeni është proteina që ndihmon lëkurën të ruajë fortësinë dhe elasticitetin, ndaj disa persona besojnë se aplikimi i qepës në fytyrë mund të ndihmojë kundër plakjes.

Megjithatë, dermatologët theksojnë se deri më tani nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme shkencore që vërtetojnë se qepa redukton rrudhat ose rikthen elasticitetin e lëkurës.