Motivi katror rikthehet moda e viteve 60'/ Ja pse po bëhet zgjedhja më e preferuar për kuzhina moderne
Motivi katror, i cili dikur ishte simbol i kuzhinave dhe restoranteve të viteve ’60, po rikthehet sërish në trendet moderne të enterierit.
Ajo që për shumë vite konsiderohej si stil i vjetruar, tani po përdoret në mënyra më elegante dhe kreative në dysheme, mobilie dhe dekorime të ndryshme.
Sot ky motiv nuk shihet vetëm në pllakat e kuzhinës, por edhe në tapeta, qilima, çarçafë, jastëkë dekorativë dhe madje në kopshte. Dizajnerët po e sjellin këtë stil në dy forma kryesore: minimaliste dhe maksimaliste.
Në versionin minimalist përdoren ngjyra të buta dhe kontraste të lehta, si kombinimi i së bardhës me grinë apo bezhën, duke krijuar ambiente moderne dhe të qeta.
Ndërsa stili maksimalist sjell ngjyra më të forta dhe kombinime retro, si portokallia me rozën, për një pamje më të gjallë dhe më dinamike.
Ekspertët e enterierit sugjerojnë që ata që duan ta provojnë këtë trend të fillojnë fillimisht me detaje të vogla, si qilima, perde apo objekte dekorative. Më pas, nëse stili përshtatet me ambientin, mund të përdoret edhe te mobiliet më të mëdha.
Rikthimi i motivit katror tregon se trendet e vjetra mund të marrin jetë të re në forma moderne dhe të përshtaten lehtësisht me stilin e sotëm të jetesës.

