Jo 5 por “8 gjuhët moderne të dashurisë” - Njihuni me teorinë e re që po “lëkund” formulën klasike të lidhjeve

Teoria e famshme e “5 gjuhëve të dashurisë” mund të mos jetë më e mjaftueshme për marrëdhëniet moderne. Psikologia amerikane Dr. Carmen Harra ka prezantuar një listë të re me tetë mënyra moderne se si njerëzit japin dhe marrin dashuri, duke thënë se lidhjet sot janë shumë më komplekse sesa dikur.

Sipas saj, koncepti klasik i Gary Chapman, që përfshin fjalët afirmuese, kohën cilësore, prekjen fizike, aktet e shërbimit dhe dhuratat, nuk mbulon më të gjitha nevojat emocionale të çifteve në ditët e sotme.

Në një intervistë për Daily Mail, Harra shpjegoi se inteligjenca emocionale dhe mënyra si njerëzit ndërtojnë marrëdhënie kanë evoluar, duke sjellë forma të reja të afeksionit dhe lidhjes emocionale.

Një nga “gjuhët” e reja që ajo përmend është “pandashmëria”, ku partnerët duan të jenë shumë të përfshirë në jetën e njëri-tjetrit dhe ta shohin lidhjen si  “ne kundër botës”.

Një tjetër është “mosgjykimi”, ku partnerët kanë nevojë të ndihen të sigurt emocionalisht pa frikën e kritikave apo talljes.

Psikologia përfshiu gjithashtu “përshtatshmërinë”, që lidhet me aftësinë e çiftit për t’u rritur dhe ndryshuar bashkë me kalimin e kohës, si dhe “empatinë”, që sipas saj është aftësia për të kuptuar realisht emocionet e partnerit edhe kur nuk je dakord me të.

Ndër “gjuhët” e tjera moderne janë edhe vlerësimi emocional, përputhja e qëllimeve në jetë, mënyra e ngjashme e prindërimit dhe bujaria emocionale apo materiale në marrëdhënie.

Sipas Dr. Harra, këto elemente jo vetëm ndihmojnë njerëzit të bien në dashuri, por edhe të qëndrojnë bashkë për një kohë të gjatë.