VIDEO/ Turistët e huaj, ushtrime rekreative në bregdetin e Vlorës
Vlora ka mirëpritur sezonin turistik me vizitorë nga e gjithë bota, të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian, por edhe kulinarinë e mikpritjen vendase.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, ku një grup turistësh zhvillojnë seancat e tyre të ushtrimeve fizike dhe të jogës në hapësirat buzë detit.
Jo vetëm bregdeti, por edhe shëtitorja e Lungomares dhe rrugët e qytetit ofrojnë aktivitete dhe hapësira atraktive për çdo grupmoshë në Vlorë.
Qyteti bregdetar i Vlorës është një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.
Përveç plazheve në gjirin e Vlorës, Sazani dhe Karaburuni janë po ashtu destinacione tërheqëse për turistët vendas e të huaj, të cilët udhëtojnë nga porti i Vlorës me anije turistike.
E cilësuar si perla e Rivierës shqiptare, Vlora është ndër zgjedhjet kryesore të turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bregdetin shkëmbor me ujërat e kristalta.

