Liderët palestinezë në konferencën e parë të partisë pas një dekade
Udhëheqësit e lartë të Fatah-ut, fraksioni kryesor politik palestinez, u mblodhën dje në mbrëmje në konferencën e parë të madhe të partisë pas një dekade, ndërsa po zgjedhin organin më të lartë vendimmarrës të lëvizjes, raportoi BBC.
Në këtë takim, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, 90 vjeç, u rizgjodh në krye të Fatah-ut.
Abbas premtoi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare për herë të parë pas 20 vitesh, por pa dhënë një afat konkret.
Ai tha se partia mbetej e përkushtuar ndaj reformave, në një kohë kur Autoriteti Palestinez (AP) përballet me presion nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet arabe për ndryshime politike dhe zgjedhje të reja.
Megjithatë, sondazhet tregojnë pakënaqësi të thellë mes palestinezëve: rreth 80% e qytetarëve duan dorëheqjen e Abbas-it, ndërsa shumë të tjerë kritikojnë korrupsionin, nepotizmin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë me Izraelin.
Pakënaqësitë janë shtuar edhe për faktin se djali i madh i Abbas-it, Yasser Abbas, kandidon për herë të parë për një post të lartë në parti, gjë qe ka ngritur akuza për favorizim familjar.
Konferenca u zhvillua në një moment kritik për çështjen palestineze, pas luftës shkatërruese në Rripin e Gazës dhe zgjerimit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor.
Autoriteti Palestinez po përballet edhe me krizë financiare, pasi Izraeli vazhdon të bllokojë transfertat tatimore, duke e detyruar të paguajë pjesërisht rrogat e punonjësve publikë.
Brenda Fatah-ut po diskutohet edhe pasardhësi i Abbas-it.
Mes figurave kryesore që shihen si pretendentë janë Jibril Rajoub dhe Hussein al-Sheikh.
Ndërkohë, shumë palestinezë e shohin konferencën si një përpjekje të elitës politike për të ruajtur pushtetin, në vend që të sjellë ndryshim real.

