Moti i keq/ IGJEO paralajmëron rrezik për përmbytje në këto zona
IGJEO ka ngritur alarmin për rrezik përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dherash në disa qarqe të vendit, si pasojë e reshjeve intensive dhe motit të paqëndrueshëm që ka përfshirë vendin këtë fundjavë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshje mesatare deri intensive janë regjistruar në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Në disa zona reshjet janë shoqëruar me shtrëngata dhe rrufe, duke rritur rrezikun për probleme në zonat urbane.
Instituti paralajmëron se intensiteti i lartë i reshjeve mund të shkaktojë vërshime uji dhe përmbytje të lokalizuara, kryesisht në qarqet Durrës, Shkodër dhe Lezhë, ku situata mbetet më problematike për shkak të kanalizimeve.
Sipas parashikimeve, era e fortë do të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim të së shtunës dhe gjatë natës, sidomos në zonat bregdetare dhe ato të ulëta. Të dielën pritet dobësim i saj, ndërsa reshjet do të jenë më të pakta në të gjithë vendin.
IGJEO bën me dije se të dielën temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 20 gradë Celsius në zonat e ulëta, ndërsa minimalet në zonat malore do të zbresin deri në 6 gradë Celsius.

