Presidenti kinez, Xi Jinping paralajmëron Trumpin gjatë takimit: Çështja e Tajvanit mund t'i çojë vendet tona në konflikt
Presidenti kinez Xi Jinping e paralajmëroi homologun e tij amerikan Donald Trump se të dy vendet mund të përfshihen në një “konflikt” nëse Uashingtoni nuk e trajton mirë çështjen e Tajvanit.
“Çështja e Tajvanit është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet kino-amerikane. Nëse trajtohet mirë, marrëdhëniet e të dy vendeve do të mbeten në përgjithësi të qëndrueshme. Por nëse trajtohet keq, të dy vendet do të përplasen dhe madje mund të angazhohen në konflikt", tha Xi, duke përdorur një fjalë në gjuhën mandarine që nuk do të thotë domosdoshmërisht konflikt i armatosur.
Sipas mediave të huaja, lajmi për paralajmërimin e presidentit kinez erdhi pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura të dy udhëheqësve në Sallën e Madhe të Popullit, i cili zgjati rreth dy orë në total.
Xi Jinping mirëpriti Donald Trump në Pallatin e Madh të Popullit në fillim të takimit të tyre vendimtar në Pekin. Nën tingujt e himneve kombëtare të të dy vendeve dhe në prani të një parade ushtarake, të dy udhëheqësit shtrënguan duart para se të fillonin bisedimet e tyre mbi tregtinë, teknologjinë dhe krizën me Iranin.
Në fjalën e tij hapëse, Xi paralajmëroi se bota ka arritur në një udhëkryq të ri dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Kinës të jenë partnerë, jo kundërshtarë, ndërsa Trump foli për një marrëdhënie fantastike me presidentin kinez, duke deklaruar se ai ka respekt të madh për të dhe Kinën.
Të dy udhëheqësit shtrënguan duart para Sallës së Madhe të Popullit, ku zhvillohen ngjarje të rëndësishme politike në Kinë, siç janë mbledhjet vjetore të parlamentit kinez dhe organet më të larta këshillimore të shtetit.
Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, Trump dhe Xi qëndruan në qendër të sheshit ndërsa një bandë ushtarake luajti himnin kombëtar amerikan, të ndjekur nga himni kinez. Dy presidentët ecën mbi një qilim të kuq, përpara ushtarëve të rreshtuar, nën tingujt e muzikës ceremoniale.

