“Science Daily”: Buka mund të lidhet me shtim në peshë edhe kur konsumohet me masë

Një studim i ri, i kryer nga shkencëtarët japonezë në Universitetin Metropolitan të Osakës ka ngritur pikëpyetje të reja mbi ndikimin e bukës dhe karbohidrateve të rafinuara në shtimin e peshës, duke sugjeruar se efekti nuk lidhet vetëm me sasinë e kalorive të konsumuara, por edhe me mënyrën se si organizmi i përpunon ato, sipas “Science Daily”.

Hulumtimi u drejtua nga Shigenobu Matsumura, profesor në Shkollën Pasuniversitare të Jetës Njerëzore dhe Ekologjisë në Universitetin Japonez, dhe u publikua në revistën shkencore “Molecular Nutrition & Food Research” në janar të vitit 2026.

Eksperimenti u krye te minjtë laboratorikë për të analizuar se si ushqimet me bazë mielli, si buka, mielli i grurit dhe mielli i orizit, ndikojnë në metabolizëm dhe shtimin në peshë.

Sipas rezultateve, minjtë preferuan dukshëm ushqimet e pasura me karbohidrate dhe braktisën ushqimin standard.

Edhe pse sasia totale e kalorive që konsumuan nuk u rrit ndjeshëm, ata shtuan peshë dhe masë dhjamore.

Studiuesit zbuluan se arsyeja kryesore ishte ulja e shpenzimit të energjisë – pra organizmi i tyre digjte më pak energji gjatë ditës.

Analizat treguan gjithashtu ndryshime të rëndësishme metabolike: rritje të akumulimit të yndyrës në mëlçi, si dhe aktiviteti i gjeneve që lidhen me prodhimin dhe transportin e yndyrave.

Në gjak u vunë re nivele më të larta të acideve yndyrore dhe më të ulëta të aminoacideve thelbësore, duke sugjeruar se një dietë e dominuar nga karbohidratet e rafinuara mund ta shtyjë trupin drejt ruajtjes së yndyrës, jo djegies së saj.

Shkencëtarët theksuan se nuk është domosdoshmërisht buka në vetvete problemi, por dominimi i karbohidrateve të rafinuara në dietë.

Në fakt, minjtë që konsumuan miell orizi patën efekte të ngjashme, gjë që tregon se mekanizmi lidhet me karbohidratet e rafinuara në përgjithësi.

Kur këto ushqime u hoqën nga dieta, pesha dhe ndryshimet metabolike nisën të përmirësoheshin shpejt.

Studiuesit sqarojnë se gjetjet janë ende të kufizuara te kafshët dhe nuk mund të aplikohen drejtpërdrejt te njerëzit.

Ekipi ka njoftuar se hapi i radhës do të jetë testimi te njerëzit, për të kuptuar nëse konsumimi i drithërave integrale, fibrave, apo kombinimi me proteina dhe yndyra të shëndetshme ndryshon këtë efekt.