Laverty sulmon Hollywood-in në Kanë: Po izolon artistët që flasin për Gazën

Anëtari i jurisë së Festivalit të Kanës Paul Laverty, kritikoi ashpër Hollywood-in për, sipas tij, izolimin e artistëve që kanë folur publikisht kundër luftës në Gaza.

Gjatë konferencës për shtyp të jurisë në Kanë, Laverty përmendi emra si Susan Sarandon, Javier Bardem dhe Mark Ruffalo, duke deklaruar se ata janë “lënë mënjanë” për shkak të qëndrimeve të tyre mbi Gazën.

“Më duket interesante të shohësh artistë si Susan Sarandon, Javier Bardem apo Mark Ruffalo të përjashtohen për shkak të pikëpamjeve të tyre kundër vrasjes së grave dhe fëmijëve në Gaza. Turp për ata në Hollywood që e bëjnë këtë. Solidariteti im i plotë shkon për ta. Janë më të mirët mes nesh”, tha Laverty.

Skenaristi britanik shtoi me ironi: “Shpresoj vetëm të mos bombardohemi tani, pasi kemi këtë poster në Kanë”, duke iu referuar posterit zyrtar të festivalit për vitin 2026, ku shfaqet personazhi i Sarandon në filmin Thelma & Louise.

Në shkurt, gjatë ceremonisë së çmimeve Premios Goya në Spanjë, Susan Sarandon deklaroi se ishte pushuar nga agjencia e saj për shkak të mbështetjes publike për armëpushim në Gaza.

“Më pushuan nga agjencia ime pikërisht sepse marshova dhe fola për Gazën, sepse kërkova armëpushim”, tha aktorja, duke shtuar se më pas u bë pothuajse e pamundur të punonte në projekte të mëdha të lidhura me Hollywood-in.

Laverty citoi edhe William Shakespeare gjatë konferencës, duke sjellë vargun e njohur nga King Lear: “Është murtaja e kohës sonë kur të çmendurit udhëheqin të verbrit”.

Ai e cilësoi pjesëmarrjen në jurinë e Kanës si një “kundërhelm” ndaj klimës aktuale socio-politike, duke theksuar kontrastin mes dhunës në botë dhe frymës së artit, diversitetit dhe imagjinatës që përfaqëson festivali.