“MESSI” I SHAHUT/ Faustino Oro bëhet Mjeshtri i Madh i dytë më i ri në histori

Në moshën 12-vjeçare, argjentinasi Faustino Oro ka hyrë në historinë e shahut botëror duke marrë titullin mjeshtër i madh. I quajtur nga mediat “Messi i shahut”, ai ka arritur këtë vlerësim si i riu i dytë në historinë e shahut. Talenti nga Buenos Aires u bë i njohur globalisht pasi mposhti online kampionin botëror Magnus Carlsen në një ndeshje blitz.

Një talent i jashtëzakonshëm po mahnit botën e shahut. Faustino Oro, djali nga Buenos Airesi i Argjentinës, është bërë zyrtarisht mjeshtër i madh, një titull që e fiton si i dyti më i ri në historinë e këtij sporti, duke hyrë në elitën botërore në vetëm 12-vjeç.

I cilësuar nga mediat ndërkombëtare si “Messi i shahut”, Oro nisi të luante gjatë izolimit të pandemisë COVID-19, kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Babai i tij, një entuziast i shahut, i mësoi lëvizjet e para, por talenti i vogël tregoi menjëherë aftësi të rralla dhe progres të jashtëzakonshëm.

Brenda pak vitesh, Faustino theu disa rekorde të moshës. Ai u bë lojtari më i ri që kaloi kuotën 2300 pikë ELO, më pas më i riu që arriti normën e mjeshtrit ndërkombëtar dhe një nga fëmijët e paktë në histori që kaloi nivelin 2500 ELO para moshës 12-vjeçare.

Emri i tij u bë viral në të gjithë botën pasi mposhti online kampionin botëror Magnus Carlsen në një ndeshje të shpejtë blitz, duke tërhequr vëmendjen e medieve dhe komunitetit ndërkombëtar të shahut.

Titullin Mjeshtër i Madh ai e siguroi pas një serie turnesh të forta ndërkombëtare, ku arriti normat e nevojshme në Evropë dhe Amerikën Latine. Arritja e fundit erdhi në Festivalin Ndërkombëtar të Shahut në Sardenjë, ku performanca e tij vulosi hyrjen në histori.

Federata Argjentinase e Shahut e ka cilësuar suksesin e Faustino Oros si një revolucion për shahun në vend dhe në gjithë rajonin.

Ndërsa krahasimet me Lionel Messin vazhdojnë të shtohen, shumë ekspertë besojnë se talenti i ri mund të bëhet një nga emrat dominues të shahut botëror në vitet që vijnë.