ASHENSORËT DUHET TË NDRYSHOJNË PESHËN/ Ekspertët: Obeziteti është kthyer në shqetësim

Ekspertët e shëndetit kanë ngritur shqetësimin për sigurinë në ashensorët. Sipas tyre prej vitesh sistemet nuk janë përshtatur me rritjen e peshës mesatare të pasagjerëve ku obeziteti është kthyer në fenomen ndërkombëtar

Obeziteti nuk është më vetëm problem i institucioneve të shëndetësisë, por dhe për mënyrën e bashkëjetesës. Ekspertët e mbledhur në kongresin evropian në stamboll kanë prezantuar një studim mbi ndikimin e rritjes në peshë të individëve dhe lëvizjet me ashensor.

Sipas tyre mjetet për të lëvizur në pallate janë jashtë standardeve dhe nuk konsiderohen të sigurtë nëse mbështeten tek numri i personave të lejuar.

Standardet e industrisë në fakt kanë supozuar një peshë mesatare prej 75 kilogramësh për person.

Megjithatë, në dekadat e fundit, pesha mesatare në popullsi është rritur, ndërsa shumë prodhues ashensorë nuk i kanë ndryshuar parametrat e tyre të referencës.

Studimi analizoi 112 ashensorë të instaluar midis viteve 1970 dhe 2024 në disa vende evropiane, duke përfshirë Italinë, Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Hetimi tregon se midis viteve 1970 dhe fillimit të viteve 2000, disa prodhues kishin përditësuar kufijtë e tyre të peshës, në disa raste duke rritur peshën për pasagjer me pesë kilogramë. Ky harmonizim me sa duket nuk vazhdoi pas vitit 2002.

Ekspertët shtojnë se problemi nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin por edhe me sigurinë. Studimi u prezantuar në forumin e mbajtur në qytetin turk nga 12 deri më 15 maj. Për këtë u kërkua ndryshimi i mënyrës së llogaritjes së kapacitetit ku një person me peshë normale kërkon 0.21 metra katrorë hapësirë. Ky problem sigurie gjithashtu rrezikon stigmatizim social . "Sugjerimi se më shumë njerëz mund të futen në një ashensor sesa mund të futen rehat, stigmatizon njerëzit obezë", komentuan studiuesit.