ALARMI PËR URINË! OKB paralajmëron krizë globale ushqimore nga bllokimi i Hormuzit
OKB paralajmëron se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë krizë globale urie. Rreth 45 milionë njerëz rrezikojnë mungesë ushqimi për shkak të ndërprerjes së furnizimit me plehra kimikë. Organizata thotë se bota ka vetëm disa javë kohë për të shmangur katastrofën humanitare.
Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për një krizë të mundshme globale urie, nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet së shpejti për trafikun detar ndërkombëtar.
Sipas OKB-së, rreth 45 milionë njerëz mund të përballen me mungesë ushqimi dhe uri për shkak të ndërprerjes së furnizimit me plehra kimikë, të cilët janë jetikë për prodhimin bujqësor në shumë vende të botës.
Jorge Moreira da Silva, drejtori ekzekutiv i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve, deklaroi se një e treta e plehrave kimikë globalë përfshirë amoniakun, urenë dhe squfurin kalojnë zakonisht përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.
Ai paralajmëroi se bota ka vetëm disa javë kohë për të shmangur pasoja të rënda humanitare. Sipas tij, sezoni i mbjelljeve në disa vende afrikane po afrohet dhe mungesa e plehrave kimikë mund të sjellë rënie drastike të prodhimit bujqësor.
Edhe vendet aziatike pritet të preken ndjeshëm nga kriza e mundshme e furnizimeve, ndërsa tensionet në rajonin e Gjirit vazhdojnë të ndikojnë tregtinë dhe zinxhirët globalë të furnizimit.
Përveç tregjeve të energjisë, shqetësimet tani janë zhvendosur edhe te siguria ushqimore globale. OKB thekson se nëse bllokimi vazhdon, pasojat mund të jenë të menjëhershme dhe të rënda për miliona njerëz në vendet më të varfra të botës.

