“100% do të ndalen”/ Trump paralajmëron Iranin dhe thotë se SHBA nuk do të lejojë a*më bërthamore në Teheran
Presidenti amerikan Donald Trump u shfaq optimist për ndalimin e programit bërthamor të Iranit, ndërsa negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë në një klimë tensionesh dhe mosbesimi.
Trump tha se është i bindur që Irani do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit dhe nga çdo përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore. Ai u shpreh se SHBA-ja ka mundësinë ta pengojë Iranin të ndërtojë një program ushtarak bërthamor.
Presidenti amerikan tregoi gjithashtu se është i përfshirë drejtpërdrejt në kontaktet me zyrtarët iranianë gjatë bisedimeve. Sipas tij, pala iraniane ka dhënë sinjale se është e gatshme të diskutojë për materialin bërthamor, ndërsa bisedimet po vazhdojnë me ritëm të shpejtë.
Megjithatë, Trump bëri të qartë se SHBA-ja nuk ndodhet nën presion për të arritur menjëherë një marrëveshje me Teheranin. Ai la të kuptohet se Uashingtoni do të vazhdojë negociatat pa nxitim, por duke mbajtur situatën nën kontroll.
Komentet e tij erdhën vetëm një ditë pasi ai e përshkroi situatën mes SHBA-së dhe Iranit si shumë delikate dhe e cilësoi kundërpropozimin e fundit të Teheranit si të papranueshëm.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian la të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave me Shtetet e Bashkuara, edhe pse mes dy vendeve vazhdon mungesa e besimit.
Sipas presidencës iraniane, Pezeshkian tha se Teherani ende i konsideron të mundshme bisedimet me SHBA-në. Ai shtoi se Irani synon të forcojë në diplomaci atë që forcat e armatosura kanë arritur në terren, duke lidhur zhvillimet ushtarake me strategjinë politike dhe diplomatike të vendit.

