Tre viktima në anije turistike, rritet shqetësimi për infeksionet në udhëtimet detare
Tre viktima nga një shpërthim i dyshuar i hantavirusit në një anije turistike në Oqeanin Atlantik kanë rikthyer shqetësimet për përhapjen e sëmundjeve infektive gjatë udhëtimeve me kroçera.
Ekspertët shpjegojnë se anijet turistike krijojnë kushte ku viruset dhe bakteret mund të përhapen më lehtë, pasi pasagjerët dhe ekuipazhi kalojnë shumë kohë në ambiente të përbashkëta dhe shpesh të mbyllura.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë bën me dije se rreziku nga hantavirusi për publikun mbetet i ulët dhe aktualisht nuk ka arsye për kufizime udhëtimi apo panik.
Sipas autoriteteve shëndetësore amerikane, problemet më të zakonshme në kroçera lidhen me viruset gastrointestinale, sidomos norovirusi, i cili përhapet shumë shpejt dhe shkakton të vjella dhe diarre. Po ashtu, shqetësim mbeten edhe infeksionet respiratore si gripi, COVID-19 dhe RSV, që favorizohen nga restorantet, teatrot dhe kabinat e mbushura me njerëz.
Një tjetër rrezik lidhet me bakterin legionella, që mund të zhvillohet në sistemet e ujit të anijeve, përfshirë dushet dhe hidromasazhet. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se pasagjerët mund të ekspozohen edhe ndaj sëmundjeve të transmetuara nga insektet gjatë ndalesave në porte të ndryshme.
Mjekët këshillojnë udhëtarët të lajnë shpesh duart, të shmangin kontaktet kur ndihen të sëmurë dhe të raportojnë menjëherë çdo simptomë në qendrën mjekësore të anijes. Sipas tyre, kujdesi dhe masat parandaluese mbeten mënyra më e mirë për të shmangur infeksionet gjatë pushimeve me kroçera.

