Rubio kundër Vance, gara e heshtur për pasardhësin e Trump
Mes krizave ndërkombëtare, sondazheve në rënie dhe tensioneve brenda republikanëve, në Uashington po shihet gjithnjë e më qartë beteja për trashëgiminë politike të Donald Trump
Një deklaratë e Marco Rubios në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë ka mjaftuar për të ndezur spekulimet mbi të ardhmen politike të Partisë Republikane dhe garën për epokën pas Donald Trumpit.
Gjatë një komunikimi me gazetarët javën e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit u pyet nga një korrespondent i një rrjeti të krishterë se cili ishte mesazhi i tij i shpresës për amerikanët. Rubio u përgjigj me një ton që shumë në Uashington e interpretuan si më shumë sesa thjesht institucional.
“Ne duam të vazhdojmë të jemi vendi ku kushdo, nga çdo pjesë e botës, mund të arrijë gjithçka. Historia amerikane është histori përmirësimi të vazhdueshëm. Çdo brez e ka lënë tjetrin më të sigurt dhe më të begatë”, deklaroi ai.
Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Vetë Rubio e publikoi në profilin e tij, të shoqëruar me imazhe të tijat, të Donald Trumpit dhe madje edhe të Ronald Reaganit. Elon Musk e shpërndau menjëherë postimin, pavarësisht marrëdhënieve jo gjithmonë të qeta me Rubion. Ndërkohë, zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, publikoi edhe një video humoristike ku Rubio shfaqej si “DJ” në sallën e konferencave, duke përdorur pamje nga një dasmë.
Për shumë analistë amerikanë, skena ngjante më shumë me nisjen e një fushate presidenciale sesa me një dalje rutinë të një sekretari Shteti.
“Washington Post” shkroi se atmosfera të kujtonte fillimin e fushatës presidenciale të Rubios në vitin 2015. Dhe sa herë emri i tij rikthehet në qendër të vëmendjes, rikthehet automatikisht edhe pyetja: kush do të jetë trashëgimtari politik i Trumpit?
Deri tani, favoriti konsiderohet zëvendëspresidenti JD Vance. Megjithatë, marrëdhëniet mes tij dhe Rubios paraqiten publikisht si të shkëlqyera. Rubio ka deklaruar se, nëse Vance kandidon për president, ai do të jetë i pari që do ta mbështesë.
Por në politikën amerikane, deklaratat publike rrallë tregojnë gjithë historinë.
Burime nga Uashingtoni thonë se Vance po lëviz aktivisht për të forcuar lidhjet me financuesit republikanë, sidomos përmes mbledhjes së fondeve për zgjedhjet e ardhshme afatmesme. Kjo konsiderohet një fazë tipike përgatitore për një kandidaturë presidenciale. Rubio, nga ana tjetër, mbetet më i kufizuar nga posti i sekretarit të Shtetit, një rol tradicionalisht më teknik dhe më pak politik.
Një garë presidenciale në SHBA kërkon miliarda dollarë dhe rrjete të fuqishme financimi. Për këtë arsye, sipas mediave amerikane, Rubio mund të ketë nevojë të kalojë një periudhë në sektorin privat për të ndërtuar bazën ekonomike të një kandidature të mundshme.
Megjithatë, njerëz pranë tij insistojnë se aktualisht ai nuk po ndërton një fushatë, por thjesht po kryen detyrën e tij si kryediplomat amerikan. Edhe pse në Uashington askush nuk e përjashton mundësinë që situata të ndryshojë shpejt nëse mbështetja politike për Rubion rritet.
Në këtë fazë, Vance dhe Rubio po ndajnë gjithashtu sfidat e administratës Trump. Vance është vendosur në krye të një task-force kundër mashtrimeve federale dhe ka luajtur rol në negociatat me Iranin në Pakistan, të cilat përfunduan pa marrëveshje. Rubio ka qëndruar më pak në qendër të këtyre zhvillimeve, por burime pranë tij thonë se ai kalon shumë kohë në “SCIF”, dhoma e sigurisë ku monitorohen çështjet më sensitive të sigurisë kombëtare.
Problemi për të dy është se popullariteti i tyre po ndikohet drejtpërdrejt nga rënia e mbështetjes për Donald Trumpin. Sondazhet e fundit tregojnë një rritje të shqetësimeve për ekonominë, çmimet dhe luftën, ndërsa brenda republikanëve po thellohet ndarja mbi politikën e jashtme dhe konfliktet ndërkombëtare.
Në këtë klimë pasigurie, gara për trashëgiminë politike të Trumpit duket se ka nisur shumë më herët sesa pritej. Dhe ndërsa presidenti amerikan vazhdon të dominojë skenën republikane, figura si Rubio dhe Vance po përpiqen të ndërtojnë profilin e tyre për ditën kur Partia Republikane do të duhet të mendojë për epokën pas Trumpit.

