Washington Examiner: Ndjesa e gjyqtarit Zia Faruqui një shembull i 'empatisë keqdashëse' të së majtës radikale në sistemin e drejtësisë
Nga Christopher Tremoglie
Si dhe pse një gjyqtar i kërkon ndjesë një personi që dyshohet se donte të vriste presidentin?
Është një pyetje e drejtë dhe të cilën të gjithë duhet ta bëjnë, pasi gjyqtari federal Zia M. Faruqui bëri pikërisht këtë gjatë një seance për të dyshuarin për të shtënat në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Cole Allen.
Edhe pse Allen akuzohet se donte të vriste presidentin Donald Trump, zyrtarë të administratës dhe njerëz të pafajshëm, dhe madje pretendohet se qëlloi një efektiv të rendit, Faruqui u shqetësua vetëm për rehatinë e të akuzuarit. Ai jo vetëm që u interesua për kushtet në burg, por madje i kërkoi ndjesë Allenit për çdo shqetësim që mund të kishte përjetuar.
Kjo është një pasqyrë e trishtë dhe shqetësuese e degradimit që po prek sistemin e drejtësisë në SHBA nga e majta. Për më tepër, tregon rreziqet që vijnë nga aktivistë radikalë të majtë që maskohen si gjyqtarë në gjykata në gjithë vendin. Është një fenomen i një empatie të sëmurë që është bërë temë e përsëritur tek e majta në çështjet e drejtësisë penale.
Në raste të tilla, gjyqtarët e majtë kanë treguar se u intereson më shumë për të mbrojtur njerëz të këqij sesa për të mbrojtur të pafajshmit. Është një tjetër shembull i dëmeve të ideologjisë radikale të majtë bashkëkohore. Kjo ka çuar që shumë njerëz të pafajshëm të dëmtohen nga zemërimi i kriminelëve të dhunshëm, të cilët duhej të ishin në burg, por u lejuan të lëviznin të lirë.
Ky prioritizim i mirëqenies së kriminelëve mbi të pafajshmit nga e majta është një prirje e rrezikshme që çon në vendime gjyqësore që rrezikojnë shoqërinë. Ky ka qenë një zhvillim tronditës në vitet e fundit, me aktivistë të reformës së drejtësisë penale të majtë që maskohen si gjyqtarë në SHBA dhe që kanë vënë jetën e kriminelit mbi sigurinë e shoqërisë, shpesh me pasoja katastrofike.
Duhet të jetë shumë e qartë se vrasësit, ose ata që tentojnë të vrasin, janë njerëz të këqij. Kjo është e vërtetë nëse pretendohet se ke planifikuar të vrasësh një administratë të tërë presidenciale. Njerëzit që meritojnë dhembshurinë e Faruqui-t janë Trump-i, zëvendëspresidenti JD Vance, gratë e tyre, anëtarët e tjerë të administratës dhe familjet e tyre, të ftuarit në darkë dhe oficeri i Shërbimit Sekret që u qëllua me armë, sipas pretendimeve nga Alleni. Megjithatë, Faruqui nuk u kërkoi ndjesë atyre.
Ndonëse është e qartë se Faruqui nuk është mbështetës i Trump-it, çekani i drejtësisë dhe zbatimi i ligjit nuk duhet të jenë ideologjikë. Allen pretendohet se është një njeri i keq dhe nuk e meriton shqetësimin dhe dhembshurinë e tepruar që i dha Faruqui. Dhe ai patjetër nuk meriton asnjë kërkim ndjese, pavarësisht sa i pakëndshëm mund të ketë qenë qëndrimi i tij në burg. Ai po ndëshkohet sepse pretendohet se ka tentuar të vrasë njerëz, jo sepse ishte me pushime në një resort.
Empatia e sëmurë e Faruqui-t është haptazi fyese. Fatkeqësisht, kjo është diçka që po ndodh shumë shpesh. Ky lloj gjykimi i çmendur, i shkëputur nga realiteti dhe i drejtuar nga ideologjia, shpesh është fatal, siç ndodhi me vrasjen në gusht 2025 të refugjates ukrainase IrynaZarutska, vrasësi i dyshuar i së cilës kishte një histori 20 vjeçare krimesh të dhunshme, por një sistem i butë ndaj krimit vendosi që ai të ishte jashtë burgut dhe nën “mbikëqyrje pas lirimit”.
Një realitet i hidhur është se Faruqui është vetëm një simptomë e sëmundjes së njohur si ideologjia radikale e majtë në drejtësinë penale. Ka shumë të tjerë në mbarë vendin si ai, që marrin vendime çdo ditë dhe që sjellin dëmtimin e të pafajshmëve nga fajtorët, ndërsa gjyqtarët përgjegjës i shpëtojnë llogaridhënies. I dyshuari nuk meriton dhembshuri, as edhe kriminelët e tjerë vrasës e të dhunshëm që gjyqtarët e majtë shpesh i mbajnë jashtë burgut. Kriminelë të tillë të neveritshëm meritojnë përballjen me drejtësinë e shpejtë, jo empati të sëmurë.
Sa më shumë Faruqui të ketë në sistemin gjyqësor, aq më e rrezikshme do të bëhet SHBA-ja. Duhet një lloj i veçantë mendësie e çrregullt, fanatike dhe ideologjike për t’i kërkuar ndjesë një personi që tenton të vrasë një president. Dhe kjo tregon thellësinë e rrezikshme të devijimeve mendore të njerëzve në pushtet në të majtën politike të sotme. / Washington Examiner – Syri.net

