Reali në krizë, sezon zhgënjyes dhe tensione në dhomat e zhveshjes, përplasje të forta mes lojtarëve dhe stafit
Sezoni i Real Madridit po mbyllet pa trofe, por problemet nuk lidhen vetëm me rezultatet në fushë. Sipas raportimeve të ESPN dhe Marca, klima në dhomat e zhveshjes është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit, me marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuara mes disa lojtarëve dhe stafit teknik.
Në qendër të situatës është një përplasje e fortë mes Dani Ceballos dhe Álvaro Arbeloa-s. Mesfushori, i pakënaqur për hapësirat e kufizuara pas rikthimit nga dëmtimi, ka kërkuar një takim sqarues me stafin teknik. Sipas burimeve, ky takim ka qenë mjaft i tensionuar dhe ka çuar në një lloj izolimi të lojtarit, i cili tashmë duket jashtë planeve të ekipit.
E ardhmja e Ceballos duket e vendosur: ai nuk pritet të luajë më në pjesën e mbetur të sezonit dhe po përgatitet të largohet në verë, me një rikthim të mundshëm te Real Betis.
Megjithatë, ky nuk është një rast i izoluar. Po sipas të njëjtave burime, Arbeloa ka pasur mosmarrëveshje edhe me lojtarë të tjerë si Dani Carvajal dhe Raúl Asencio, ndërsa konkurrenca e fortë brenda skuadrës ka shtuar tensionet.
Në këtë atmosferë të ngarkuar përfshihet edhe një episod i fundit me Antonio Rüdiger, i cili pati një debat të ashpër me një shok skuadre, duke konfirmuar se ambienti në “Santiago Bernabéu” është gjithnjë e më i tensionuar.
